02 February 2014

Ushqimet që ju ndihmojnë të ‘luftoni’ pagjumësinë

Pagjumësia është një prej patologjive, të cilat prekin të gjithë në një moment të caktuar, ndonëse disa preken me gjatë, e disa për një periudhë më të shkurtër kohore.
Simptomat janë të njëjta për të gjithë.
Shikimi i mbërthyer në tavan, ktheheni, rrotulloheni, sa në një krah, në tjetrin, në përpjekje të vazhdueshme për të vënë gjumë në sy, por është e kotë. 

Truri juaj është aq zgjuar, sa që është e pamundur për ju të flini. Orët që duhet të pushoni, kthehen në këtë mënyrë në orët e makthit për shkak të pagjumësisë, e cila jo vetëm po shkatërron netët tuaja, por ndikon negativisht edhe në ditët tuaja, pasi duke qenë të pagjumë, nuk përqendroheni dot ditën në punë dhe në asnjë aktivitet tjetër.

E megjithatë, ka disa mënyra shumë efikase, të cilat nëse i përdorim mund të përmirësojnë gjendjen e gjumit tonë. Janë metoda të përdorura më parë edhe nga gjyshërit tanë. Gjithçka, fare mirë mund të niset edhe nga ushqimi.

Kështu, rregulli numër një; mos konsumoni për asnjë arsye ushqim të rëndë para se të bini të flini, pra në vaktin e darkës. Vështirësoni tretjen në këtë mënyrë dhe trupi juaj duke nisur prej stomakut, nuk do të ndjejë rehati. Eliminoni në këtë mënyrë yndyrat e tepërta, apo edhe ato të cilat përmbajnë tiroksinë, një aminoacid i cili vepron si një stimulues i proceseve mendore, i cili gjendet në ushqime si mishi.

Kategorikisht duhet të evitoni edhe pijet alkoolike, apo pijet që përmbajnë kafeinë, kafeja apo çaji. Edhe patatinat, çokollatat janë ushqime që shkaktojnë një efekt zgjues, ndaj evitojini para se të flini gjumë.

Mirëpo atëherë, cila është dieta e duhur para gjumit, çfarë është mirë të konsumojmë, me qëllim që të bëjmë një gjumë të rehatshëm, pa ndërlikime, ankthe e mbi të gjitha të na shërbejë për çlodhjen e trurit dhe trupit.

Ju këshillojmë një filxhan qumësht të nxehtë me tërshërë për të bërë një sy gjumë të qetë. Tërshëra në vetvete është një burim natyral i melatoninës, e cila është një hormon që çlirohet nga gjëndra pineale gjatë natës, për të inkurajuar gjumin. Pra tërshëra është konsideruar si një ndihmë e madhe për gjumin, sidomos kur kombinohet me qumështin. Ndër të tjera, kokrrat e tërshërës janë të pasura me kalcium dhe magnez, dy minerale të përsosura që ndihmojnë për të bërë gjumë të gjatë dhe relaksues.

Një pjatë makarona apo oriz i zier me fruta janë ideali, nuk janë të rënda dhe as nuk përmbajnë substance që stimulojnë zgjimin.
Gjithashtu, edhe bananet këshillohen të konsumohen para se të flihet gjumë. Ato janë të pasura me serotoninë, një molekulë, e cila në sistemin cerebral, stimulon gjumin dhe ka efekt çlodhës.
Farat e lirit, falë pranisë së magnezit, kaliumit dhe acideve yndyrore Omega-3, ndihmojnë në zvogëlimin e disa shkaqeve të pagjumësisë (depresioni, ankthi dhe stresi) ndërsa janë gjithashtu edhe një ilaç efektiv kundër gërhitjes.

Mos harroni, në asnjë moment, që para se të futeni në krevat, të konsumoni një gotë qumësht të ngrohtë, ndoshta të ëmbëltuar me një lugë mjaltë dhe në këtë mënyrë, keni marrë ilaçin natyral më të mirë e të shëndetshëm të mundshëm për të pasur një gjumë të qetë. Nëse nuk e preferoni qumështin, mund të përzgjidhni të pini kamomil.

Nëse konsumoni këto ushqime rregullisht pak përpara se të flini nuk do të keni më probleme me gjumin gjatë natës. Por përpos këtyre këshillave kundër pagjumësisë, ajo çka është e rëndësishme të theksohet ka të bëjë me faktin se ju duhet të vetëlargoni stresin. Problemet e përditshme dhe ato të jetës duhet t’i lini pas derës së dhomës suaj të gjumit, nëse dëshironi të keni një mendje dhe një trup të shëndetshëm.

Burimi: AlbNews

No comments :

Post a Comment