Këngëtari nga Shkodra, Ergi Dini, është fitues i edicionit të tretë të "X Factor Albania", ndërsa është hera e dytë që një konkurrenti i Tunës shpallet fitues i këtij spektakli talentesh.
Garën e finales e hapi Sarah Memmola me këngën "Gli uomini non cambiano". Senadi erdhi me "Bed of Roses" të "Bon Jovi", ndërkohë që Ergi performoi këngën e tij të preferuar "Man's World".
Në raundin e parë të eliminimeve, Ergi që kishte mentore Tunën, u kualifikua direkt në dyshen e fundit finale, ndërsa nga konkurrentët e Alban Skënderajt u kualifikua Senadi. Italiania Sarah u eliminua.
Më pas u erdhi radha dueteve të dy finalistëve. Ergi dhe Tuna kënduan "Ain't No Sunshine", kurse Senadi dhe Albani interpretuan këngën "Heaven". Dhe në fund fituesi i "X Factor Albania 3" u shpall Ergi Dini.
Në mbrëmjen finale në skenë u kthye fituesja e edicionit të dytë, Arilena Ara, e cila performoi këngën e saj të parë. Po ashtu, të ftuara speciale ishin edhe Miriam Cani dhe Elhaida Dani.
Juria e edicionit të tretë të "X Factor Albania" përbëhej nga Pandi Laço, Altuna Sejdiu, Soni Malaj dhe Alban Skënderaj.
Burimi: YllPress
No comments :
Post a Comment