Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare, NSA dhe homologia e saj britanike, GCHQ kanë përgjuar abonentët duke përdorur aplikacione të njohura si loja “Angry Birds”.
Lajmi bëhet i ditur nga media prestigjoze ndërkombëtare si “New York Times” apo “The Guardian”, që sqarojnë se si agjencia amerikane dhe ajo e Madhërisë së saj kanë marrë të dhëna personale përmes programeve të përdorura nga abonentët.
Kështu, nëse përdorni disa modele smartfonësh, këto aplikacione dhurojnë një gamë të gjerë informacionesh si gjinia, prirjet seksuale, gjendja civile, përkatësia etnike apo pozicionin e saktë të lojtarit, për të mos lënë mënjanë aksesin tek kodet e telefonave inteligjentë ku është instaluar aplikacioni.
Sipas dokumentave të publikuara nga të përditshmet amerikane dhe britanike, që bazohen në zbulimet e Edward Snowden, këto informacione janë përdorur nga NSA dhe GCHQ për të spiunuar dhe përgjuar miliona njerëz.
Dhe shembulli më i mirë është pikërisht loja popullore “Angry Birds” që është shkarkuar mbi 1 miliard herë. Sa herë që një abonent luante me zogjtë e inatosur, pa e ditur i jepte të dhëna qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe asaj britanike mbi veten e tij.
Bëhet fjalë për një minierë të pafund informacionesh, por odiseja e përgjimeve nuk mbaron me kaq. E njëjta mënyrë spiunazhi është aplikuar për vite me radhë me aplikacionet e Facebook, Twitter dhe Linkedin, si dhe me Google Maps. Me pak fjalë, në njëfarë mënyrë të gjithë amerikanët dhe anglezët janë përgjuar.
No comments :
Post a Comment