Një test i thjeshtë bën të mundur tani që të mësosh nëse je duke iu afruar vdekjes në pesë vitet e ardhshme apo jo. Bëhet fjalë për një analizë të thjeshtë gjaku e cila mund të identifikojë personat që kanë rrezik të lartë për të vdekur nga një sërë sëmundjesh, që nga sëmundjet e zemrës tek tumore të ndryshme.
Janë shkencëtarët nga Estonia dhe Finlanda, ata të cilët kanë bërë zbulimin se kjo analizë mund të identifikojë shkaqe të një rreziku potencial vdekjeje. Ata kanë publikuar të ashtuquajturin testin e vdekjes që bazohet tek një analizë e thjeshtë gjaku, duke ftuar që ta bëjnë të gjithë. Shkencëtarët vërejnë se edhe personat e shëndetshëm mund të kenë fatin e keq të vdesin herët, nëse identifikohen probleme përmes këtij testi-analize gjaku.
Shkencëtarët thanë se, kanë studiuar për disa vite rresht, duke analizuar gjendjen shëndetësore të mëse 17 mijë njerëzve të shëndetshëm, raporton gazeta e specializuar mjekësore, “PLoS Medicine”. Çdo vit atyre u janë bërë analizat e gjakut për të parë ecurinë dhe për të identifikuar praninë e mundshme të 100 kimikateve të ndryshme. Më pas shkencëtarët bënin krahasimin mes pacientëve që ishin gjallë dhe të tjerëve që kishin vdekur.
Katër komponentë, janë tregues të qartë nëse personi që bën këtë analizë gjaku, do të jetojë normalisht gjatë pesë viteve të ardhshme apo do të gjejë vdekjen ose do të shkojë drejt saj. “PLoS Medicine” raporton se të katër këta komponentë gjenden në gjak, por i rëndësishëm dhe deciziv është niveli i tyre në gjak.
Deri dje, vetëm albumina, një nga katër komponentët, ishte lidhur më parë me ecurinë e shëndetit të njerëzve gjatë analizave. Shkencëtarët kanë pohuar se testi që nisi me 17 mijë njerëz tani mund të përdoret më gjerë, por për t’u shtrirë në të gjithë botën kjo do të kërkojë kohë. Gjithsesi ata e këshillojnë këtë test me qëllim që njerëzit të parandalojnë probleme të mundshme dhe të jetojnë në mënyrë të shëndetshme.
Ata veçojnë se njerëzit duhet të ruhen nga pirja e duhanit, obeziteti si dhe të kujdesen për presionin e gjakut dhe kolesterolin, sepse këto, bashkë me vitet që ikin, janë faktorët kryesorë të shkaktimit të vdekjes.
Burimi: BotaSot
No comments :
Post a Comment