Smartfoni i pritur nga Samsung-u për këtë vit, Samsung Galaxy S5, mund të jetë një konkurrent i mirë në treg jo vetëm për cilësitë që sjell, por edhe për çmimin.
Nga brenda Samsung-ut rrjedhin informacione se kompania koreane mund të jetë duke ndjekur këshillat e partnerëve për uljen e çmimit dhe Galaxy S5 mund të vijë në treg me një çmim më të ulët se modelet e mëparshme të Samsung-ut.
Qëllimi do të ishte konkurrenca jo vetëm me Apple dhe me HTC, por edhe me rivalë të tjerë jo shumë të njohur që kanë një çmim goxha konkurrues kundrejt gjigandëve të smartfonëve dhe me parametra të krahasueshëm me ta.
Nuk ka ende çmime përfundimtare. As në mesin e punonjësve të Samsung-ut nuk ka asnjë të dhënë se sa do të kushtojë Samsung Galaxy S5. Për momentin, Samsung Galaxy S4 shitet me çmimin 200 dollarë nga disa operatorë telefonikë, ndërkohë që modeli 16 GB i S4 shitet për 100 dollarë nga AT&T në SHBA me një kontratë 2 vjeçare.
Edhe pse nuk është prezantuar akoma, në qarkullim ka disa informacione për të rejat që do të sjellë. Përveç çmimit, një tjetër ndër to është dhe fleshi LED. Modeli i ri që do të jetë pjesë e S5 do i japë mundësinë kamerës një fushëpamje më të gjerë edhe në hapësira të vogla. Kjo do të arrihet duke integruar reflektorin me optikat e LED-it në përputhje me ligjet e difuzionit. Kjo do të sjellë pamje më të mira të fotove si në dritë edhe në errësirë.
Pritet që Samsung-u zyrtarisht ta prezantojë Samsung S5 në Mobile World Congress në Barcelonë më 24 shkurt.
Madhësia që ka karakterizuar modelet e fundit të Samsung-ut për S5 do të jetë 5.2 inç dhe me një ekran më të qartë se paraardhësi S4. Raporte ka edhe që S5 do të vijë me një sensor për shenjat e gishtërinjve për shkyçjen e smartfonit, një risi kjo në botën e smartfonëve. Gjithsesi, prezantimi i Samsung-ut në MWC do të jetë më shumë informues për produktin më të ri nga Koreja, Samsung Galaxy S5. (PCWorld Albanian)
No comments :
Post a Comment