facebookgoogle plusrss feedmesazh

28 February 2014

Shërbimi Telegram arrin 8 milion shkarkime

Ashtu siç pritej, blerja e WhatsApp-it nga Facebook-u, nuk do të kishte ndikim vetëm tek këto dy kompani. Impakti në botën teknologjike ishte i madh dhe ndër to, tek shërbimi konkurrent i WhatsApp, Telegram, ka pasur një ndikim pozitiv duke arritur numrin 8 milion të shkarkimeve të aplikacionit.

Vetëm pak ditë kaluan dhe ky shërbim jo shumë i njohur e kalon në renditje për shkarkime nga App Store aplikacionin më të përhapur në botë për dërgimin e mesazheve online. Rritje patën edhe aplikacione të tjera të ngjashme si TigerText dhe Confide, por Telegram vërtet "fluturoi" siç ka edhe logon.

Ky vërshim shkarkimesh mund të konsiderohet edhe si një eksod nga WhatsApp në Telegram, duke parë ngjarjet e fundit. Serverat e WhatsApp ndaluan së funksionuari për shkak të përdorimit të tepërt për disa orë, gjë që solli shumë pakënaqësi tek përdoruesit. Një arsye tjetër mund të jenë edhe pakënaqësitë gjithnjë e në rritje ndaj Facebook dhe shërbimeve e aplikacioneve që rrjeti social zotëron. Një tjetër arsye mund të jetë besimi gjithnjë e në rënie ndaj kompanive të mëdha teknologjike si Facebook për shkak të fakteve më të fundit për përgjimet nga NSA. Këto dhe arsye të tjera mund të kenë qenë shkaqe të mira të kësaj rritjeje.

Telegram është krijuar nga Pavel Durov, njëkohësisht krijues i rivalit më të madh të Facebook-ut në Rusi, rrjetit social VKontakte. Kjo kompani e re, dhe deri pak më parë, e vogël, gjithmonë ka ofruar siguri për përdoruesit dhe është shërbimi më i sigurt deri tani kundër Shërbimit Amerikan të Sigurimit.

Durov ka deklaruar se para se WhatsApp të bëhej pjesë e Facebook-ut, shkarkimet e Telegram ishin rreth 300,000-400,000 në ditë. Pas lajmit, shkarkimet u trefishuan dhe në kohën kur WhatsApp ishte "down", Telegram bëhet me 1,8 milion përdorues të rinj në të gjitha platformat. Të martën u shtuan 4.9 milion shkarkime duke e çuar renditjen e Telegram në vend të katërt, ku tre vendet e para ishin aplikacione klone të Flappy Bird. (PCWorld Albanian)

No comments :

Post a Comment