facebookgoogle plusrss feedmesazh

06 March 2014

Itali, bukëpjekësi i çuditshëm

Gjashtë muaj rresht bukë falas për gratë që kanë foshnja të sapolindura. Është kjo nisma e veçantë e Lulzim Vulashit, me origjinë nga Shkodra dhe pronar i një furre shumë të njohur në Firence.

Nga data 1 mars ai ka vendosur të ndihmojë nënat e reja me bukë falas, deri sa fëmija e tyre të mbushë gjashtë muajsh.
Një nismë e pritur me entuziazëm dhe simpati e që ka shtuar radhat në furrën “Pane, Amore e Fantasia”, ku punojnë disa anëtarë të familjes Vulashi. 

Ata përgatisin jo vetëm bukë, por edhe ëmbëlsira të ndryshme e gatime gjysmë të gatshme. Lulzim Vulashi tregon se kjo nuk është një mënyrë për të dhënë lëmoshë, por një akt zemërgjërësie, i thjeshtë, me diçka që ai e bën vetë, me bukën. 

Ka llogaritur që çdo ditë të dhurojë rreth 30 kg bukë, një shpenzim prej rreth 100 eurosh. 

Në forumet e ndryshme në internet lexohet se kjo furrë nuk është si gjithë të tjerat. E dallohet jo vetëm për muzikën që nuk resht dhe për cilësinë e lartë të produkteve, por edhe për klimën e pritjen e njerëzve. 

Siç shkruan një kliente: atje jeton një çast gëzimi që mund t’ju ndriçojë edhe një ditë të nisur ters.

Burimi: YllPress

No comments :

Post a Comment