Sipas studimeve të ndryshme, të pish dy ose tre filxhanë kafe në ditë, jo vetëm që i bën mirë shëndetit, por të mbron edhe nga një sërë sëmundjesh, falë antioksiduesve që gjenden me shumicë te çdo kokërr e saj.
Një seri kërkimesh ka treguar se kafeja është burimi kryesor i antioksiduesve, në një dietë standarde, që bazohet kryesisht te frutat-perimet dhe kafeja.
“Është e vërtetë që i bën mirë shëndetit, por nuk duhet të harrojmë se te kafeja nuk gjenden vitamina, ndaj kurrsesi nuk mund ta përdorim si zëvendësuese të frutave dhe perimeve”, konfirmojnë ekspertët. Studimet tregojnë për rolin e kafesë ndaj sëmundjeve të ndryshme.
Dy ose tre filxhanë në ditë zvogëlojnë rrezikun për t‘u sëmurur nga diabeti i tipit 2 dhe mbrojnë qelizat epatike. Nga ana tjetër, dy studime të rëndësishme të realizuara më 2008-n, kanë vënë në dukje lidhjen midis konsumit të rregullt të kafesë dhe një përqindjeje të vogël të rasteve me cerozë ose tumore të tjera në mëlçi.
Megjithatë, duhet theksuar fakti se, nëse konsumi që këshillojnë mjekët nga dy deri në tre filxhanë në ditë shkon në pesë ose gjashtë, atëherë efektet e mira shndërrohen në të kundërt. Kafeina e akumuluar nuk arrin të tretet dhe zemra fillon të ndiejë pasojat derisa arrin në kufirin që nuk duhet kaluar kurrë: 10 në ditë.
Studime të tjera kanë treguar për efektet pozitive të kafeinës mbi shëndetin: pengon zhvillimin e diabetit, kancerit të zorrës së trashë, sëmundjes së Parkinsonit dhe mbrojtjen e mushkërisë.
Më shumë se 75 për qind e popullsisë evropiane konsumon mesatarisht tre filxhanë kafe në ditë, ndërsa për shtatë persona në dhjetë është një zakon nga i cili nuk mund të heqësh dorë. Për të shmangur që të shndërrohemi në “kafeinomanë” të vërtetë, është e këshillueshme që të mos kalohet sasia prej 300 miligramësh në ditë, e domosdoshme edhe për një shëndet të mirë.
Burimi: YllPress
No comments :
Post a Comment