Në Mançester, në orët e para të mëngjesit të së hënës, në parkingun e kamionëve të pastrimit të rrugëve, futet një "Porsche" e bardhë në vlerë prej 120 mijë eurosh. Nga vetura del sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, i cili futet në zyrë, merr jelekun ngjyrë portokalli dhe nis fshirjen e rrugëve me fshesë.
Për këtë arsye, ai është gjobitur me heqje të patentë shoferit për gjashtë muaj tjerë dhe 250 orë në shërbimin komunitar.
Orët e para të punës në shërbimin komunitar, Tevez i ka nisur të premten e shkuar, por të hënën ka punuar dy orë të plota. Këtë e kanë konfirmuar edhe disa dëshmitarë, të cilët kanë kërkuar të mbeten anonimë. Tevez i ka kaluar dy orë duke fshirë rrugët dhe duke pastruar një kontejner të stërmbushur me mbeturina.
"Tevez nuk ishte i lumtur dhe nuk qeshte fare për shkak se nuk është mësuar të punojë në këtë mënyrë. Ai erdhi në mëngjes dhe doli për ta kryer dënimin prej 250 orëve punë në shërbimin komunitar", ka zbuluar dëshmitari. "Ai pastroi për dy orë dhe pastaj e la jelekun dhe iku me veturë në shtëpi. Megjithatë, nuk është mirë që ai në këtë vend të punës të vijë me një veturë kaq luksoze për shkak se këtu njerëzit punojnë me vite të tëra dhe nuk mund të fitojnë sa fiton Tevez brenda një jave".
Burimi ka bërë të ditur se Tevez pati një situatë të pakëndshme kur njëri prej punëtorëve e fotografoi atë me celular. Ylli argjentinas që ka pagë javore prej 200 mijë eurosh te Manchester City nuk ishte i kënaqur me këtë gjest dhe kërkoi që fotografia e tij të fshihej.
"Tevez sapo e pa vrapoi tek ai dhe i kërkoi celularin për ta fshirë fotografinë. Ai u mundua t'ia marrë telefonin, por nuk arriti. Megjithatë, gjithçka u qetësua kur erdhi zyrtari i lartë, i cili kërkoi që fotografia e Tevezit të fshihet", ka thënë burimi. "Ai nuk deshi që të krijohen probleme mes lojtarit dhe punëtorit, kështu që kërkoi edhe nga punëtorët tjerë që të kenë mirëkuptim ndaj sulmuesit të Cityt dhe të mos e fotografojnë në të ardhmen".
Tevez 29-vjeçar ka kontratë me Cityn deri në qershorin e vitit të ardhshëm. Ai te City, qe transferuar në verën e vitit 2009 nga rivali i qytetit, Manchester United, për një dëmshpërblim prej 29 milionë eurosh.
No comments :
Post a Comment