Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar pjesërisht kërkesën e palës së dëmtuar Feriz Krasniqi nga Gjilani i cili ka kërkuar kompensim në vlerë të 50 mijë eurove për dëmin që i ka shkaktuar mjeku Hafiz Ahmeti ortoped. Gjykatësi Halil Zahiri ka aprovuar pjesërisht kërkesën e palës duke ia njohur kompensimin prej 17 mijë eurove.
Edhe pse ka ndodhur në vitin 2004 pas shumë shtyrjesh, ankesash e refuzimesh qytetari – pala e dëmtuar Feriz Krasniqi nga Gjilani ka arritur të fitojë një kontest me Spitalin e Gjilanit, rajonipress. Feriz Krasniqi e kishte paditur Spitalin e Gjilanit me arsyetimin se më 23 shkurt 2004 mjeku ortoped Hafiz Ahmeti gjatë operimit kirurgjik ka treguar joprofesionalizëm dhe neglizhencë edhe nga ana e kolektivit mjekësor duke i shkaktuar atij dëmin e pariparueshëm ku edhe detyrohet që në QKUK të amputojë gishtin e katërtë të dorës së majtë.
Gjykata Themelore e Gjilanit më 17 prill 2013 përmes gjykatësit Halil Zahiri ka marrë vendim që t`i njihet pjesërisht kërkesa për kompensim të dëmit. Feriz Krasniqi kishte kërkuar nga Gjykata një kompensim prej 50 mijë eurove, derisa tani Gjykata atij i ka njohur një kompensim në vlerë të 17 mijë eurove . Në këtë shumë Gjykata ka marrë parasysh dhimbjet intensive të pacientit, frikën , shërimin trupor-humbjen e gishtit, zvogëlimin e aftësisë punuese etj.
Enver Halili avokat mbrojtës (ne foto) i Feriz Krasniqit tha për rajonipress se ky rast dhe ky vendim i Gjykatës do të ndikojë pozitivisht tek të gjithë mjekët e tjerë që kujdesi shëndetësor duhet të jetë i lartë përballë pacientëve. “Klienti im pas shumë peripecive ka arritur ta fitojë këtë kontest dhe shpresoj shumë që tashmë ky vendim do të jetë përfundimtar edhe pse pala e paditur sërish ka bërë ankesë” tha Halili.
Edhe ekspertiza mjeko- ligjore e përfaqësuar nga Arsim Gërxhaliu kishte konstatuar se pacienti Feriz Krasniqi ka manifestuar paaftësi për punë në shkallën prej 50%.
Vet mjeku Hafiz Ahmeti sipas vendimit të gjykatës ka deklaruar në seancat gjyqësore se pacientin e ka operuar sipas të gjitha rregullave dhe standardeve që posedon spitali i Gjilanit.
Kundër këtij vendimi sërish ka ushtruar ankesë Spitali i Gjilanit përmes përfaqësuesit të saj Hazir Haziri i cili ka konstatuar se aktgjykimi përmban verifikim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkelje të dispozitave dhe aplikim të gabuar të drejtës materiale.
Burimi: Koha.net
No comments :
Post a Comment