Aurela Gace eshte risia e pare e sezonit te trete te 'The Voice of Albania'. Ajo do t`i bashkohet Elton Dedes, Alma Bektashit dhe Sidrit Bejlerit në panelin e trajnerëve.
Në këtë intervistë për tch, ajo tregon si e pranoi ftesën e autoreve dhe çfarë do t'i sjellë ajo programit.
Si erdhi ftesa dhe vendimi për të qenë pjesë e 'The Voice'?
Aurela Gaçe: “Ftesa erdhi nga producentet. Kur m'u komunikua e pranova me shumë kënaqësi sepse do të isha mes kolegëve të mi të cilëve u respektoj punën shumë të mirë që ata bëjnë, por mbi të gjitha do të isha mes miqsh shumë të dashur të cilët më njohin e i njoh shumë mirë dhe kjo më bën të punoj shumë qetësisht mes tyre. Ashtu sikurse kolegët e mi kam shumë vite në skenë dhe me modesti mund të them se kam mësuar aq sa mund t'i përçoj këtyre të rinjve dhe rejave ato që unë di”
Çdo anëtar jurie ka një mënyrë specifike të sjelljes në raport me konkurrentët dhe me skuadrën e tij më pas, Aurela si do të jetë në këtë rol?
Aurela Gaçe: “Unë jap fjalën që do jem vetja ime se nuk bëj dot ndryshe. Ata njerëz që janë skeptikë do t'i bëj të dashurohen me mua, ndërsa ata qe s'më pëlqejnë, do t'i bëj të ngulen përpara televizorit. Për sa i përket konkurrentëve do të mundohem të jem shoqe me ta, por do të kërkoj maksimumin pa u treguar e vrazhdë, pasi unë e di shumë mirë se çdo të thotë të kesh një ëndërr. Do të mirëkuptoj emocionet e skenës, pasi edhe unë sot pas kaq vitesh, vazhdoj të pushtohem nga emocionet thuajse çdo dalje përpara publikut”.
Aurela, ti je një shembull tipik i misionit të 'The Voice', një vërtetim që zëri i mirë shpërblen edhe në një treg muzikor si Shqipëria. Çfarë do t’u thuash paraprakisht atyre qe do të kalojnë fazat përzgjedhëse të 'The Voice'?
Aurela Gaçe: Ata që do të zgjedhin të punojnë me mua, duhet të kenë parasysh se për mua nuk mjafton vetëm të kesh një zë të bukur. Është shumë i rëndësishëm karakteri i zërit. Unë do të mundohem të nxjerr më të mirat e karakterit të atij apo asaj e t'i vesh zërin që i përshtatet se tepërmi”.
-I ke ndjekur dy edicionet e para te spektaklit? Çfarë do të veçoje?
Aurela Gaçe: Do të gënjeja nëse do të thosha se i kam ndjekur hap pas hapi. I kam ndjekur nga pak më shumë dëshirë për aq sa kam pasur kohë. Ajo që do të veçoja në lidhje me formatin e spektaklit është fakti se gjithçka fillon nga trajneri. Çdo njeri prej tyre duhet të dijë të tregojë me profesionalizëm se çfarë të mirash ka konkurrenti që është përzgjedhur. Duhet të dijë t'ia tregojë publikut, pse ky dhe jo një tjetër. Pra, duhet të dimë si të punojmë me këta zëra, për t'i nxjerrë më të mirat e konkurrentit.
Si janë raportet me Sidritin, Almen dhe Eltonin?
Aurela Gaçe: Eltonin dhe Almën kam 20 vjet që i njoh, kam pasur bashkëpunime të ndryshme me të dy. Eltoni veç të tjerash ka qenë edhe dirigjent i koncertit tim të pare recital. Ndërsa me Sidritin kam me pak marrëdhënie të mëparshme, por, siç thash edhe më lart këtu jam mes miqsh dhe kolegësh që e kuptojmë, respektojmë dhe e duam punën e njeri- tjetrit.
Burimi: Koha.net
No comments :
Post a Comment