Kanë kaluar do kohë që atëherë, megjithatë shumë e kujtojnë Penelope Cruz në fillimet e saj, me një anglishte të pasigurt, me sy të mëdhenj dhe buzëqeshje fëmije. Ishte viti 1999, i interesonte budizmi dhe adhuronte Nënë Terezën… Ajo tashmë është një aktore e famshme, numëron shumë role në karrierën e saj, është gruaja e një burri që do dhe është bërë nënë.
E megjithatë, ca frikëra i ka akoma. Së fundmi ishte pjesë e kastit të filmit “The Counselor”, një thriller nga Ridley Scott, ku luan në krah të Michael Fassbender, Brad Pitt, Cameron Diaz e Javier Bardem, bashkëshortit të saj.
“The Conselor” trajton një temë të fortë: dhunë, kërcënime…Skenari është firmosur nga Cormac McCarthy, autor i “Nuk është një vend për pleq”…
Jam adhuruese e Cormac dhe nuk kisha pasur mundësi ta takoja gjatë xhirimeve të “Pasion rebel”, që kam xhiruar në vitin 2000 dhe që bazohet mbi një roman të tij. Nuk erdhi asnjëherë në sheshxhirim dhe për mua ka mbetur një figurë e zhytur në mister, kësaj here në fakt vinte çdo mëngjes: ne aktorët ishim të gjithë pak nervozë, ndërsa ai u tregua shumë i gatshëm për të na ndihmuar, aq sa e lodhëm me pyetjet tona.
Pas shumë vitesh, luani sërish pranë Javier Bardem. Si shkoi kësaj here, duke qenë burrë e grua?
Na u ofrua skenari pak a shumë në të njëjtën kohë. Pastaj Ridley na telefonoi: prej kohësh doja të punoja me të, mbi të gjitha sepse e njoh prej vitesh, jam mikja dhe gruaja e tij. Me Javier nuk kisha luajtur më, që prej kohëve të “Vicky Cristina Barcelona”, edhe pse rreth 20 vjet më parë kishim xhiruar së bashku “Prosciutto prosciutto”, film që do të ndryshonte jetët tona profesionale.
Dukeni shumë në formë, edhe pse s’kanë kaluar veçse pak muaj nga lindja e vajzës suaj. Keni ngadalësuar ritmet e punës këto kohë, besoj…
Që përpara se të bëhesha nënë, kisha vendosur të punoja më pak. Duke vrapuar nga një sheshxhirim në tjetrin, për vite me radhë, kisha filluar të ndieja një boshllëk brenda meje; nuk arrija dot më të argëtohesha, nuk isha kurrë në shtëpi, nuk kisha një jetë timen. Gjithçka rrotullohej rreth personazhit që duhej të luaja, kështu që një ditë thashë: kjo është e tepërt. Nuk është e mundur të përgatitesh me nxitim për një film të ri pa u rikarikuar sërish.
Gjithnjë keni qenë gjumashe… sa orë flini tani?
Herë 6, herë 3…
Nuk ndiheni e drobitur?
Jam kaq e lumtur, saqë nuk më intereson të jem në vazhdimësi e lodhur. Shijoj çdo moment me fëmijët e mi.
Mbani dietë, keni ndërruar ushqimet e preferuara?
Jo, janë gjithnjë të njëjtat: paeja, tortija, kroketa patatesh dhe të gjitha llojet e makaronave italiane.
Dukeni shumë më e sigurt dhe e qetë, keni fituar mbi frikërat e kohës së shkuara?
Jo, vazhdoj të kem ende shumë, vetëm jam bërë mjeshtre në fshehjen e tyre.
Nuk ia tregon askujt?
Jo, sepse do doja që të tjerët të besonin se jam e çlodhur dhe e qetë. Kam punuar një jetë të tërë për të kontrolluar emotivitetin tim dhe disa hapa para i kam bërë.
Linja juaj e të brendshmeve është konsideruar si më seksi në botë, ishte interesante të drejtonit videon promocionale?
Po. M’u desh të zgjidhja 70 vajza të bukura dhe t’i bindja të visheshin sa më pak… Ishte e çuditshme të ndodheshe në anën tjetër… Do doja të xhiroja më shumë video në të ardhmen; ndoshta në të ardhmen do ta bëj me kohë të plotë… Kushedi!…
Po puna si stiliste?
Unë dhe ime motër kemi shumë për të mësuar, por i marrim gjërat shumë seriozisht.
Si është jeta juaj si grua dhe si nënë?
Ngjarja më e bukur që mund t’i ndodhë njeriut, është të bëhet nënë. Modifikon gjithë të ardhmen tënde: është një eksperiencë kaq e thellë dhe revolucionare, si i bëhet ta përmbledhësh me pak fjalë?
No comments :
Post a Comment