Kompania Samsung bëri bujë të madhe kur langoi orën e saj të mençur, Galaxy Gear, në fund të vitit 2013. Mirëpo, pjesa më e madhe e atij lajmi u përqendrua në të metat e tij, veçanërisht jetëgjatësia e shkurtër e baterisë.
E tash, me sa duket, Apple është duke provuar që t’i shmangë hapat e gabuar të Samsung në momentin e lansimit të orës së saj të mençur (që pritet gjatë këtij viti), duke i kushtuar rëndësi të veçantë baterisë.
“New York Times” raporton se Apple ka angazhuar inxhinierë të specializuar në dizajnin e baterisë nga kompani siç janë Tesla dhe Toyota. Kompania kompjuterike ka eksperimentuar gjithashtu edhe metoda tjera për ta vënë në funksion orën e mençur, nga mbushësi wireless që përdorë fusha magnetike deri tek një pllakë me qeliza solare të ngjitura në pjesën ballore të orës për të gjeneruar elektricitet, transmeton Koha.net.
Patrick Moorhead, analist i lartë në “Moor Insights and Strategy”, thotë se nëse ndonjë kompani dëshiron të prodhojë orë të mençur të suksesshme, duhet t’i plotësojë kërkesat e konsumatorit, e që një prej tyre është jetëgjatësia e baterisë.
“Nuk është element opcional”, ka thënë ai për ABC News. “Pritjet janë që ajo të ketë jetëgjatësi së paku deri në një javë”.
Për dallim nga procesorët e telefonave të mençur dhe tabletëve, të cilët janë bërë më të shpejtë e më pak energji-shpenzues, bateritë ende çalojnë në të gjitha këto pajisje.
No comments :
Post a Comment