Banka Botërore i ka kërkuar qeverisë së vendit kujdes të shtuar me planin që ka parashikuar për këtë vit për rutën 6 në drejtim të Maqedonisë. Ky institucion i ka kërkuar Qeverisë të ndryshojë projektin e rrugës që përfshin dy tunele, duke paralajmëruar për rrezikun e shtimit të kostos së saj. Alarmi i Bankës Botërore vjen pasi ruta 7 që përfshin autostradën për në Morinë në drejtim të Merdarës ka tejkaluar kostot e parashikuara.
Jan-Peter Olters, menaxher i Bankës Botërore për Kosovë i ka thënë Radio Kosovës se autostrada duhet të tenderohet si projekt me dy kontrata.
“Siç ishte pajtuar në kontekstin e Marrëveshjes Stand-By (marrëveshjet për sigurim të mjeteve të huamarrësit) me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore ka rishikuar qëndrueshmërinë ekonomike për Rrugën 6 dhe ia ka dorëzuar Qeverisë rekomandimet e veta. Pajtimi edhe me FMN-në, ishte që autostrada të tenderohet si një projekt me dy kontrata”, ka thënë Olters.
Sipas tij, segmenti i parë deri në Kaçanik të jetë një kontratë standarde mbi punën. Ndërsa segmenti i dytë një kontratë e llojit “dizajn dhe ndërtim”.
“Në këtë mënyrë do shihet nëse autostrada mund të ndërtohet pa ndonjë tunel në segmentin e fundit. Ndërtimi dhe mirëmbajtja e tuneleve kushton shtrenjtë, dhe tek tunelet ka shumë rrezik për tejkalim të shpenzimeve”, ka thënë Olters.
Lah Nitaj këshilltari i Ministrit të Infrastrukturës ka thënë se tenderimit do të bëhet sipas planit fillestar, por duke kërkuar alternativa më të lira për segmentin e dytë.
“ Projekti do të tenderohet si komplet. Po kompania që do të fitoj ne do t’i lejojmë që të ofroj nëse ka alternativa më të mira dhe më të lira për segmentin e dytë ne mund ta pranojmë”, ka thënë Nitaj për Radio Kosovën.
Projekti për autostradën 53 kilometërshe çmimi i saktë i së cilës nuk është publikuar ende ka marrë vërejtje edhe nga fondi Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa kontrata për këtë autostradë është paralajmëruar të finalizohet në muajin gusht.
No comments :
Post a Comment