facebookgoogle plusrss feedmesazh

26 May 2013

Shtatzënia përmirëson efektivitetin e trurit

Shtatzënia mbetet një nga periudhat më të bukura, por njëkohësisht më të mistershme dhe të padepërtueshme në mënyrë të plotë nga ana e shkencës apo psikologjisë, në jetën e një femre.

Ajo që mbetet më e padepërtueshme ende dhe një sfidë për shkencën ka të bëjë me reagimin dhe gjendjen e trurit të nënës gjatë shtatzënisë.

Një përpjekje për të bërë transparencë në këtë pikë dhe për ta zbardhur disi enigmën vjen nga një studimi i publikuar në ‘Current Directions in Psychological Science’, sipas të cilit, përtej ndryshimeve të shpeshta të humorit dhe atyre hormonale, shtatzënia ndikon pozitivisht në trurin e femrave. Eksperimentet e para, të cilat janë ndërmarrë paraprakisht te kafshët eksperimentale, kanë treguar se një nga gjërat pozitive të periudhës së shtatzënisë është se ajo ndikon në rritjen e funksionalitetit të neuroneve të nuhatjes, dhe gjëja më interesante është se këto ndryshime vazhdojnë të kenë ndikimin e tyre prapaveprues edhe pas lindjes.

Tek kafshët që iu nënshtruan eksperimentit, shtatzënitë e shumta kanë sjellë ndryshime po kaq të shumta në numër, duke përftuar pothuajse një metamorfozë të femrës. Sipas studiuesve, nuk mund të thuhet me siguri të plotë nëse e njëjta gjë ndodh edhe te njerëzit dhe kjo mbetet ende një mister. Njerëzit janë të ndryshëm nga minjtë (tek të cilët u realizua eksperimenti), por studiuesit thonë se “mundësitë janë vërtetë të shumta që shtatzënia të mund të ndryshojë funksionet e trurit me efekte prapavepruese pozitive tek femrat.

Fluksi hormonal që pushton trupin e grave shtatzëna, në fakt është shumë më i madh se gjatë periudhës së adoleshencës. Dhe ashtu si hormonet ndikojnë në psikikën e njeriut në këtë fazë kaq të rëndësishme të zhvillimit të saj, e njëjta gjë ndodh edhe gjatë shtatzënisë, bëjnë të ditur studiuesit.

Sipas psikologëve, shtatzënia është një periudhë psikologjikisht komplekse dhe pjellore për gratë. Përveç përjashtimeve të rralla, niveli i hormoneve tipike të kësaj faze të jetës ndikojnë në modifikimin e humorit dhe mendjes së atyre që e përjetojnë këtë periudhë.

Pra, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me çrregullime depresive apo sëmundje, faza kur një femër është duke pritur të vijë në jetë fëmija i saj, mund të jetë një kohë shumë e mirë për të. Aq e vërtetë është kjo saqë disa e quajnë “muaj mjalti”, pavarësisht nga lodhja fiziologjike që ndodh në mënyrë krejt të natyrshme.

Burimi: GazetaShqip

No comments :

Post a Comment