facebookgoogle plusrss feedmesazh

20 October 2013

Shtëpitë e së ardhmes

Shtëpitë e së ardhmes po reklamohen në qytetin Irvine të Kalifornisë në kuadër të një programi të Departamentit amerikan të Energjisë. Ky është një aktivitet dy vjeçar në të cilin 20 ekipe studentësh nga e gjithë bota konkurojnë për të ndërtuar shtëpinë me energji diellore më efiçiente, që është gjithashtu me çmim të përballueshëm dhe tërheqëse.
Njëri prej ekipeve përfaqëson Universitetin e Kalifornisë Jugore.  Zëri i Amerikës sjell hollësi se pse ky ekip e quan veten "familja diellore".

Me kalimin e minutave shtohet edhe tensioni.

"Jam pak nervoze. Asnjeri në ekip nuk është mësuar t’u shërbejë 8 deri 10 vetave në të nëjtën kohë”.

Në një shtëpi të furnizuar me energji diellore, Evyn Larson dhe ekipi i saj nga Universiteti i Kalifornisë Jugore, po organizojnë një mbrëmje për kundërshtarët e tyre. Ky është një prej 10 konkurseve të garës. Nga ushqimi deri tek ambjenti, çdo gjë do të vlerësohet nga anëtarë të ekipeve të tjera.

Ndërsa Evyn dhe anëtarët e ekipit të saj janë në kuzhinë, menaxheri i projektit, Justin Kang po shikon pjesët e tjera të shtëpisë.

“Është shumë stresuese të shikosh çdo orë numra dhe ekrane”.

Numrat vijnë nga ndjesorët që regjistrojnë temperaturën dhe lagështirën. Ekipi mund të fitojë pikë bazuar në këto numra. Vetëm para pak ditësh, ekipi i Universitetit të Kalifornisë Jugore ende nuk kishte përfunduar pjesën e brendshme të shtëpisë për t’u siguruar se çdo gjë funksiononte. Këtu përfshihet edhe një çati diellore, që hapet dhe mbyllet me shtypjen e një butoni. Çdo ekip kishte 9 ditë afat për të montuar shtëpinë në pistën e fluturimit të një ish baze të korpusit të marinës.

“Do të habiteshit që pas një viti e gjysëm që kemi qënë me njeri tjetrin gjatë gjithë kohës, ne ende kemi marrëdhënie shumë miqësore. Na pëlqen të dalim së bashku dhe të bëjmë shaka.  Ne jemi shumë të afërt me njeri tjetrin. Është si një familje diellore që ne kemi krijuar në komunitetin tonë”.

Dhe nga kjo përvojë ata nxorën një mësim.

“Në botën e përditshme, asgjë nuk është e përsosur. Gjithnjë kemi të bëjmë me mangësi dhe pengesa. Në vend që të qahesh e të ankohesh, duhet t’i vihesh punës për të gjetur zgjidhje".

Me mësimet e nxjerra dhe shtëpinë e përfunduar, është koha që ajo t’i tregohet gjykatësve dhe publikut.

“Kjo është shumë frymëzuese”.

Shumica e shtëpive të amerikanëve nuk funksionojnë me energji diellore dhe kjo për një arsye të mirë, thotë Richard King, drejtor i programit të Departamentit të Energjisë.

“Kostoja është faktori kryesor, por edhe pajisjet janë mjaft të shtrenjta".

Por pak shtëpi, përfshirë edhe këtë shtëpi, do të bëhen shtëpi reale. Universiteti i Kalifornisë Jugore do t’ia dhurojë këtë shtëpi një familjeje afër universitetit.

“Është kënaqësi që të mendosh se dikush do të jetojë në këtë shtëpi dhe kjo do të jetë shtëpia e tyre shumë e rehatshme".

Një familje nga Kalifornia do t’i japë kësaj shtëpie një qëllim matanë konkurencës dhe shpresohet që ajo ta dojë këtë shtëpi po aq sa edhe ekipi i Universitetit të Kalifornisë Jugore që e ndërtoi atë.

No comments :

Post a Comment