facebookgoogle plusrss feedmesazh

30 October 2013

Tetë gjëra që ju garantojnë çlodhjen

Shumica prej nesh janë takuar (dhe kanë pasur zili) së paku një nga ata njerëzit misteriozë që duket sikur nuk janë kurrë të lodhur. Ne i kemi parë ata me sytë e zgafulluar dhe kemi vrarë mendjen se pse ata duket sikur nuk kanë luftuar për 30 minuta me butonin snooze te zilja në celular në mëngjes.
Në fakt, nuk është e domosdoshme të kesh luksin për të fjetur më shumë orë për t’u çuar i çlodhur; përkundrazi, shumë nga njerëzit e çlodhur kanë disa sjellje të thjeshta që i garanton atyre gjumë të qetë.

Një gjë kanë shpesh të përbashkët njerëzit e çlodhur: Disiplinën. Trupi parapëlqen rutinën, e cila lejon orën tonë biologjike të funksionojë siç duhet. Dhe ndërsa mund të jetë joshëse t’i përgjigjesh një e-maili të fundit apo të qëndrosh zgjuar për një xhiro tjetër pijesh, njerëzit e çlodhur mirë dinë t’i japin prioritet gjumit në të njëjtën mënyrë siç dinë të ndjekin dietën dhe ushtrimet, transmeton tekstin e Huffington Post, gazeta-Shqip

“Është pikërisht ruajtja e regjimit gjumë/zgjim ajo që mbron gjumin tonë”, thotë Majkëll Deker (Michael Decker), ekspert i gjumit.

Njerëzit shpesh janë të fiksuar për orën e rënies në gjumë, por akoma më e rëndësishme se kjo është përcaktimi i një ore të rregullt zgjimi. Një zile e përhershme në një orë të caktuar ndihmon në forcimin e orës tënde biologjike, duke ju ndihmuar të ndiheni të lodhur në kohën e duhur në mbrëmje.

“Koha në të cilën ti duhet të shkosh të flesh në mbrëmje përcaktohet në një masë të madhe nga ora në të cilën ti je zgjuar dhe kur ke marrë në sy dritën e mëngjesit”, thotë një ekspert. Në rast se funksionon disiplina e zgjimit, atëherë nuk është problem që ndonjë natë ta shkelësh e të biesh më vonë.

Problem është edhe fakti se disa njerëz parapëlqejnë të flenë më gjatë në fundjavë. Por ndryshimi dramatik i orës së zgjimit dy ditë në javë mund të godasë edhe orën tuaj biologjike, një fenomen që ekspertët e quajnë “vonesa shoqërore”. Megjithëse mund të mendoni se keni abuzuar me orët e pakta të gjumit gjatë javës dhe dëshironi të rikuperoni në fundjavë, ekspertët thonë se orët ekstra të gjumit mund të mos sjellin asnjë përfitim real për trupin.

Darka
Pothuajse çdo amerikan përdor një pajisje elektronike në orën para se të bie në gjumë, ndërsa më shumë se gjysma bie në gjumë bashkë me celularin e tyre inteligjent apo tabletin. Por pikërisht pamjet e një ekrani në orët e natës mund të dëmtojë aftësinë tuaj për të mbyllur sytë dhe kjo është e vlefshme për çdo pajisje, përfshirë televizorin, pasi pamjet me dritë i çojnë syrit sinjalin e gabuar të të qenët ditë dhe jo natë.

Një ilaç i mirë në këtë rast është seksi, i cili ndihmon trurin të marrë mesazhin se është koha për të fjetur. Por në rast se krevati kthehet në një hapësirë zyre me laptopin e hapur, atëherë gjumi do të vijë më me vështirësi.

Pushimi i drekës
Njerëzit e çlodhur mirë e dinë vlerën e një pushimi të shkurtër gjatë ditës. Nëse bëhet siç duhet, një pushim i tillë të rrit vëmendjen, produktivitetin dhe krijueshmërinë, si dhe redukton stresin. Nëse nuk ke fjetur mirë gjatë natës apo ke fjetur pak, një pushim i shkurtër gjatë ditës mjafton për të rikuperuar. Duhen 30 minuta pushim për të ardhur në vete, por më gjatë se kaq nuk bën mirë, pasi trupi kalon në gjumë të thellë dhe të lë më të lodhur nga sa ishe. Koha më e mirë për pushimin e drekës është mes orës 2 dhe 3. Pas orës 4 nuk është aspak ide e mirë, pasi dëmton gjumin e natës.

Ecje, palestër
Gjumi i mirë nuk krijohet vetëm për atë që bëjmë kur jemi shtrirë. Njerëzit që angazhohen në aktivitet fizik zakonisht flenë më mirë. Të qenët aktiv nuk nënkupton që të bësh stërvitje serioze, mjafton shpesh një shëtitje në park.

Mendime të ngatërruara
Askush nuk fillon të bëjë një punë pa shtriqur gishtat. E njëjta gjë ndodh edhe më gjumin. Ne nuk kemi një buton për të na hequr energjinë dhe rrjedhimisht para se të flemë kemi nevojë për përgatitje. Ka nevojë pra që një orë para gjumit të heqim qafe pajisjet elektronike dhe t’i zëvendësojmë ato me aktivitete më çlodhëse, si p.sh, leximi i ndonjë libri fizik apo një dush.

Ushqimi i duhur
Ka disa lloje ushqimesh që dërgojnë në tru sinjalin e gabuar në rast se konsumohet në darkë dhe veçanërisht në rast se darka shtrohet shumë vonë. Çokollata apo një biftek i madh, madje edhe ushqimet djegëse nuk janë të këshilluara. Mbi të gjitha, një darkë e bollshme mund të vërë në punë metabolizmin si për orar pune dhe jo për orar gjumi. Gjumi i mirë do të thotë të shmangësh ushqimet e rënda në darkë. E njëjta gjë është edhe me alkoolin. Një gotë mund të të ndihmojë, por pija me tepri nuk garanton kurrë gjumë çlodhës.

Respekt për gjumin
Mbi të gjitha, njerëzit e çlodhur mirë kanë respekt për gjumin. Ata nuk e konsiderojnë humbje kohe, përkundrazi, e konsiderojnë si të domosdoshëm për performancën. Ekspertët thonë se gjumi duhet të shikohet si një investim. Të jep mundësi të punosh më me efikasitet pasi të zgjohesh.

Mbi të gjitha, kini parasysh se gjumi i keq lidhet me një sasi të madhe sëmundjesh, përfshirë probleme me zemrën, obezitet dhe humbje kujtese.

Ankthi
Për fat të keq, shumë njerëz “parandiejnë” se nuk do të flenë mirë dhe pikërisht kjo parandjenjë i çon ata të mos flenë siç duhet, pasi stresi dhe gjumi janë armiq. Njerëzit kanë frikë për shumë gjëra, fluturimi, lartësitë, mbytja, gjaku, plagosjet apo vdekja. Por frika e të mbeturit zgjuar nuk është një frikë e zakonshme. Shumica jonë e shijojnë kohën kur janë zgjuar. Problemi është se të qëndruarit zgjuar ndërkohë që duhet të flemë, na shqetëson. Ne fitojmë ankth për pasojat e të mos fjeturit mirë pa e kuptuar se pikërisht ankthi bëhet shkak për mungesën e gjumit. Pra nëse je duke pasur një natë të keqe, në vend që të shqetësohesh për këtë, ngrihu dhe bëj diçka derisa të ndihesh i lodhur e të biesh të flesh.

No comments :

Post a Comment