facebookgoogle plusrss feedmesazh

Interpretim i ëndrave AI

Interpretim i ëndrave AI
Ëndra jote ka mesazh

18 December 2013

I ftohti, si të largojmë dhimbjet e fytit

Në kushtet e shtëpisë rekomandohet limoni, uthulla e mollës dhe kanella

Dhimbja e fytit zakonisht është shenja e parë e një ftohjeje. Mirëpo, dhimbja e fytit nga ftohja zakonisht përmirësohet ose kalon pas një ose dy ditësh. Ndërkaq, mund të shoqërohet edhe me rrjedhje nga hundët dhe kongjestion (zënia e hundëve).
Dhimbja e fytit mund të shkaktohet nga viruset ose bakteret. Shkaktarët më të shpeshtë janë viruset, dhe me këtë rast dhimbja e fytit mund të shoqërohet edhe me simptomat tjera të ftohjes, si rrjedhje nga hundët, kollitje, sy të kuq ose të njomur dhe teshtitje. Shkaktarët tjerë të dhimbjes së fytit janë edhe duhanpirja, ndotja ose irritantët tjerë në ajër, alergjitë dhe ajri i thatë.

Edhe pse nuk ka mjekim adekuat për shërimin e dhimbjes në fyt të shkaktuar nga viruset e ftohjes, specialistët pohojnë se ekzistojnë mënyra që të ndjeheni më mirë. Pirja e lëngjeve të nxehta, shpëlarja me ujë të ngrohtë të kripur apo marrja e barnave të caktuar, mund t’i lehtësojë simptomat e dhimbjes ose etheve. Kur jeni të ftohur është me rëndësi që të pushoni mjaftueshëm, të konsumoni ushqim të shëndetshëm dhe të pini shumë lëngje. Barnat kundër dhimbjes (acetaminophen, ibuprofen, naproxen) mund të lehtësojnë dhimbjet e shkaktuara nga ftohja e fytit. “Spërkatësit dhe tabletat për zbutjen e fytit dhe ‘mpirjen’ e përkohshme të dhimbjes janë po ashtu të dobishëm për lehtësimin e gjendjes.

Për lirimin e hundëve përdoren spërkatës që përmbajnë dekongjestivë nazalë”, - theksojnë specialistët. Sipas tyre, antibiotikët nuk duhet shfrytëzuar për trajtimin e viruseve të ftohjes dhe dhimbjes së fytit, duke qenë se ata janë të efektshëm vetëm kundër baktereve. Antibiotikët nuk kanë asnjë efekt mbi viruset. Në rast se infektimi i bajameve ndodh shpesh në mënyrë të përsëritur ose nëse bajamet pengojnë gjumin dhe frymëmarrjen, atëherë mjeku mund të rekomandojë tonsilektominë (ndërhyrje kirurgjike për largimin e bajameve). Por përveç medikamenteve janë edhe një sërë produktesh, të cilat e ndihmojnë përmirësimin e dhimbjeve të fytit. Pavarësisht se në farmaci gjenden shumë ilaçe që janë në gjendje ta kurojnë këtë sëmundje, por ka edhe shumë kura natyrale, me të cilat mund të parandalojmë inflamacionin përpara se të përkeqësohet.

Gjithsesi, në çdo rast, është mirë që të konsultoheni me mjekun tuaj të familjes, por ne ndërkohë po ju propozojmë disa zgjidhje të thjeshta dhe me efektivitet të provuar. Ja se cilat janë kurat natyrale për të kuruar dhimbjen e fytit, dhe uthulla e mollës renditet tek të parat. Mund të pihet bashkë me një çaj të ngrohtë ose me një gotë ujë. Por mund të përdoret edhe për avull ose gargarë. Ajo heq dhe lehtëson inflamacionin në fyt. Po kështu, edhe kanella ka veti të shkëlqyera shëruese. Ju mund të përgatisni një çaj bimor me kanellë dhe piper, i cili do t’ju ndihmojë të qetësoni dhimbjet e fytit dhe të lironi rrugët e frymëmarrjes. Ndër më kryesorët është edhe lëngu i limonit ka një aksion antibakterial natyral dhe mund të jetë i dobishëm për të dezinfektuar gojën dhe për të bërë gargarë në rastet e dhimbjes së fytit. Ju gjithashtu mund të përdorni një limonadë të përgatitur nga përzierja e lëngut të limonit me ujë të freskët.

No comments :

Post a Comment