facebookgoogle plusrss feedmesazh

18 January 2014

Si të lëmë përshtypje të mirë në punë

Në këtë kohë krize, konkurrenca e atyre që kërkojnë një punë është shumë e madhe! Ne po ju sjellim rreth gjashtë rregulla qëndrimi gjatë një interviste pune, që të lini një përshtypje mjaft të mirë!

Nëse aktualisht jeni në kërkim të një pune dhe po dërgoni me dhjetëra CV çdo ditë, ne duam t’ju japim ndonjë këshillë të vogël për të përballuar më mirë momentin në të cilin do të gjendeni përballë një përgjegjëseje që bën përzgjedhjen e stafit të një kompanie.
Një kurrikulum i mirëstrukturuar duhet të shoqërohet edhe nga një “dozë e vogël zgjuarsie sjelljesh”, që do të zbatohet në momentin kur do të vlerësoheni dhe kur të tregoni aftësitë tuaja. Përmes përvojës së Lauren Ferrara, përzgjedhëses së punëkërkuesve të një agjencie në Nju Jork, televizioni BBC ka bërë një lloj klasifikimi të disa këshillave që do t’ju bëjnë të lini përshtypje të mira në fazën e një interviste pune.

Rregulli nr.1
Mos shkoni kurrë me vonesë
Nuk duhet të shkoni qoftë edhe një minutë me vonesë; nëse do të arrini më parë (mjaftojnë 10-15 minuta) do të jepni një përshtypje korrektësie e qetësie, që do të vlerësohen shumë nga përzgjedhësit tuaj dhe mbi të gjitha do të jepni provën se jeni shumë të interesuar për pozicionin e punës që ju kanë propozuar.

Rregulli nr.2
“Kuroni” pamjen
Harrojini takat e larta, minifundet apo lukun e një mbrëmjeje; duhet që veshjen tuaj ta zgjidhni me kujdes. Nëse do të prezantoheni në një zyrë, zgjidhni një veshje më formale dhe klasike, me ndonjë aksesor që ndriçon paksa seriozitetin e një kostumi; ndërkohë nëse përfshiheni në një shoqatë krijuese duhet të jeni më shumë origjinal, sepse përgjithësisht ambienti është më pak formal. Pra, në këtë rast, ju mund të zgjidhni një veshje më të rastësishme trendy, por duke u kushtuar gjithmonë shumë kujdes detajeve.

Rregulli nr.3
Përgatisni një lloj “skalete”
Në mënyrë që të vini sa më mirë në dukje eksperiencën tuaj profesionale dhe aftësitë tuaja, përgatisni një ligjëratë apo një fjalim të shkurtër, që mund ta shprehni mjaft natyrshëm. Me vete merrni një kopje të CV-së (në letër), kështu ju mund të analizoni së bashku me intervistuesin pikat e rëndësishme që kanë peshë në fitimin e vendit të punës.

Rregulli nr.4
Qeshni
Jepini takimit një atmosferë sinqeriteti dhe gatishmërie; “klima” e zyrës është e lidhur ngushtë me marrëdhëniet mes kolegësh dhe nëse ju do të tregoheni një person miqësor, do të keni më shumë shanse për t’u përzgjedhur në një ekip pune.

Rregulli nr.5
Përpiquni të mbani nën kontroll ankthin dhe irritimin
Edhe pse janë të justifikueshme, ju nuk duhet ta lëshoni veten! Përmbajtja e stresit është një nga karakteristikat më të kërkuara nga shumë agjenci, sepse kjo do të thotë se në të ardhmen do të jeni në gjendje të mbani punën edhe në momentet me tension. Kjo do të jetë një pikë e mirë, sigurisht në favorin tuaj.

Rregulli nr.6
Jini gjithmonë të sinqertë dhe transparent
Nëse do të gjendeshit përballë vështirësish, tregohuni të gatshëm për të dëgjuar e për të mësuar “leksionet” që do të merrni, sepse kjo do të thotë se ju jeni njerëz të hapur për dialog dhe përvoja e punës do të jetë një shkak i rritjes personale, por mbi të gjitha profesionale. Në fund ju themi se duhet të jeni gjithmonë spontan e miqësor dhe mos harroni të falënderoni personin që ju kushtoi kohë dhe vëmendje gjatë intervistës. Kaq mjafton për të bërë vërtet një përshtypje të mirë! Suksese!

Burimi: AlbPress

No comments :

Post a Comment