Shumë pije energjike kanë përbërës, të cilët mund të japin një efekt të dëmshëm mbi shëndetin e adoleshentëve, sidomos kur përzihen me alkoolin.
Tashme eshtë bërë trend i adoleshentëve të konsumojnë pije energjike, teksa janë ulur duke shijuar bisedën me miqtë, e shpeshherë në mbrëmjet e festave i shoqërojnë ato edhe me alkool duke e rritur edhe më shumë rrezikun.
Ato reklamohen si pije që rrisin kënaqësinë në tru, forcojnë sistemin imunitar e për më tepër “të bëjnë me krahë”.
Pijet energjike përmbajnë edhe kafeinë. Shumica e pijeve më të njohura energjike, kanë në brendësi sasi të pazakonshme kafeine dhe simulantësh të tjerë që e rrisin më tepër rrezikun. Kafeina është një përbërës i njohur për problemet që shkakton tek adoleshentët si për shembull: dehidratim, obezitet, ankth, takikardi dhe probleme në tretje. Disa pije energjike përmbajnë edhe alkool. Kur pijet energjike përzihen me alkool, potencialiteti i rrezikut për adoleshentët rritet, ka madje edhe rrezik për abuzim.
Kur ne e miksojmë pijen energjike me alkoolin, efekti i tyre është i barabartë me konsumin e një shisheje vere apo me pirjen e disa filxhanëve kafe. Sasia e zakonshme e kafesë që konsumojmë ka rreth 100 miligramë kafeinë brenda, ndërsa pijet energjike rreth 160 miligramë, pra 60 për qind më shumë.
Sipas statistikave, rreth 66 për qind e konsumatorëve të pijeve energjike janë nga mosha 13-35 vjeç. Doktorët shpjegojnë se këto lloj pijesh nuk janë shumë të sigurta për shëndetin dhe krijojnë varësi. Ata shtojnë se nëse dikush kërkon të marrë energji, duhet të ushqehet shëndetshëm, të bëjë ushtrime dhe të flejë mjaftueshëm.
Sipas raportit të vitit 2013 për shëndetin në Amerikë, rreth dyfishi i njerëzve që kishin konsumuar pije energjike, u shtruan në spital gjatë vitit 2012 krahasuar me vitin 2007. Në këto vizita, rastet më shqetësuese ishin ato kur pijet energjike ishin miksuar me substanca mjekësore si “Ritalin” dhe “Adderall”. Një studim i Universitetit të Kentakit, zbuloi se kombinimi i pijeve energjike me alkoolin, largon aftësinë e trupit tonë për të kundërshtuar dëshirën për t’u dehur, duke rritur kështu mundësinë e abuzimit.
Nëntë vite më parë, qeveria franceze e ndaloi shitjen e një pijeje energjike shumë të njohur. Komiteti Francez i Shkencës së Ushqimit zbuloi se kjo pije kishte sasi të tepruar të kafeinës. U ngritën gjithashtu shqetësime rreth përbërësve të tjerë të pijes, taurine, një aminoacid që shkaktonte një problem për metabolizmin.
Kështu, sipas vendimit të Gjykatës Europiane, u mbështet ndalimi që i bëri qeveria franceze pijes energjike më të njohur. Në fund të studimit, shkencëtarët nënvijëzuan se ata dëshironin që njerëzit të ishin në dijeni për tregun e gjerë të pijeve energjike dhe sasisë së madhe të fitimeve që këto pije kishin dhe mënyrave që përdornin për t’i rritur ato.
Duhet mbajtur gjithashtu parasysh që konsumuesit më të mëdhenj të pijeve energjike janë adoleshentët, trupi i të cilëve është në ndryshim e sipër dhe që ndikohet shumë lehtë nga rreziqet që i kanosen nëpërmjet ushqimit dhe pijeve. Përmbajtja e këtyre pijeve energjike nuk është shumë e qartë për njerëzit dhe nuk dihet me siguri se çfarë përbërësish përdoren për të rritur kënaqësinë në tru.
Adoleshentët duhet të kuptojnë se pijet energjike mund të shkaktojnë obezitet, presion të lartë të gjakut, takikardi dhe probleme të tjera shëndetësore. Rreziku dyfishohet nga përzierja e pijeve me alkoolin, ku trupit tonë mund t’i çaktivizohen sensorët që na ndalojnë ta teprojmë me pijen.
Pra, sipas këtij studimi, duket se çmimi i krahëve që këto pije të japin, është i papërballueshëm nga trupi i adoleshentëve. Të rinjtë nuk kanë përse rrezikojnë kaq shumë, për të ndjerë emocione të forta t’i përshkojnë trupin, pasi mosha e tyre ia bën të mundur këtë pa asnjë përbërës të jashtëm.
Burimi: AlbPress
No comments :
Post a Comment