Fjoralba Dizdari, e cila mban titullin "Miss Universe Albania", ka publikuar ditën e djeshme vendimin e saj për të hequr dorë nga konkurrimi në kompeticionin e bukurisë botërore "Miss Universe 2013". Siç është folur edhe më herët në media, shkak për dorëheqjen e bukuroshes shqiptare, është bërë përjashtimi i përfaqësueses kosovare Mirjeta Shala, duke qenë se Rusia ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Në shenjë solidarizimi, përfaqësuesja e bukurisë shqiptare, ka zgjedhur të heqë dorë nga ëndrra e saj për më të bukurën e botës. "Të dashur miq, si 'Miss Universe Albania 2013', dua të bëj publike sot mospjesëmarrjen time, në konkursin 'Miss Universe 2013', që do të organizohet më 9 nëntor, në Moskë, Rusi.
Vendimi për këtë dorëheqje, erdhi si pasojë e veprimit që shteti rus nuk lejoi 'Miss Universe Kosovën 2013' të marrë pjesë në këtë eveniment, pasi nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Shqipëria dhe Kosova kemi qenë dhe jemi një komb, kemi një gjuhë, një aspiratë, dhe për këtë arsye e ndjeva të drejtë, bojkotin e pjesëmarrjes sime në ëndrrën e 'Miss Universit', duke shpresuar pjesëmarrjen në kompeticionin e ardhshëm. Ju falënderoj përzemërsisht për mbështetjen tuaj. Sinqerisht, Fioralba Dizdari", shkruan bukuroshja në profilin e saj zyrtar të "Facebook"-ut, transmeton Gazeta Shqiptare. Po në rrjetin social, "Miss Kosova" Mirjeta Shala, ka konfirmuar përjashtimin e saj dhe ka falënderuar përfaqësuesen e Shqipërisë për mbështetjen që i dha.
Historia
Rreth dy javë më parë, autoritetet ruse vendosën të mos lejonin përfaqësuesen e Kosovës të konkurrojë në finalen e më të bukurave të Universit, pasi Rusia ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Menjëherë pas këtij vendimi, fotografi i njohur shqiptar Fadil Berisha, që është edhe fotograf zyrtar i këtij evenimenti, ka deklaruar tërheqjen e "Miss Universe Albania", Fioralba Dizdari.
Sigurisht që ky lajm ngjalli pakënaqësinë e shqiptarëve, por jo të serbëve. Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka falënderuar shtetin rus, pas vendimit që përfaqësuesja kosovare të përjashtohet nga konkursi i bukurisë "Miss Universe". Çështja tërhoqi edhe vëmendjen e BE-së, që premtoi në zgjidhjen e situatës, duke organizuar edhe një mbledhje të posaçme, e cila siç duket nuk dha asnjë rezultat.
Daçiq
"Serbia ka një vajzë për "Miss Universe" dhe nuk mund të ketë dy kandidate, derisa njëra prej tyre të mos ketë fusnotë. Duhet bërë e qartë se ato dy bukuroshe janë shumë të mira dhe mund të marrin pjesë së bashku". Kështu deklaroi kryeministri serb, Ivica Daçiq, pas publikimit të lajmit se përfaqësuesja kosovare u përjashtua nga eventi i rëndësishëm botëror. Po ashtu, kreu i qeverisë serbe e ka falënderuar Rusinë për përkrahjen që i ka dhënë Serbisë nëpërmjet këtij gjesti mjaft domethënës. Sipas mediave serbe, incidenti mund të ishte evituar nëse përfaqësuesja kosovare do të kishte deklaruar se gjatë konkurrimit do të mbante edhe fusnotën.
Burimi: Koha.net
No comments :
Post a Comment