25 January 2014

Fëmijët kosovarë, të parët në rajon për përdorim të internetit

Fëmijët sot i ekspozohen ekranit shumë orë në ditë. Ata këtë kohë e kalojnë duke shikuar televizorin, pranë kompjuterit apo lojërave të ndryshme elektronike, duke shikuar në ekrane. 
Sipas sociologëve, pasojat e të qëndruarit gjatë pranë ekraneve janë të të mëdha.

Profesori i sociologjisë, Fadil Maloku, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në një studim që ka bërë Shoqata e sociologëve të Kosovës, ka dalë se gjeneratat e reja që e përdorin shumë internetin, kanë shumë informata, por u mungon dija.

“Studimet që janë bërë jashtë dhe brenda Kosovës, nga Shoqata e sociologëve të Kosovës, lidhur me përdorimin e internetit te fëmijët, tregojnë se ata i ekspozohen njëfarë lloj radioaktiviteti, i cili i bën të plogësht, anemik dhe fëmijët në fakt janë ata që do të kenë probleme në të ardhmen”.

“Shoqata e sociologëve të Kosovës ka bërë një hulumtim lidhur me përdorimin e internetit te moshat parashkollore e deri tek adoleshentët. Rezultatet në vija të trasha janë se është i dëmshëm. Fëmijët i ekspozohen radioaktivitetit që është shumë i dëmshëm dhe për fëmijët do të gjenerojë gjenerata, të varur dhe të plogësht dhe nuk do të kenë një perceptim normal çfarë do të kishin fëmijët tjerë”, thotë Maloku për REL.

Sipas tij, nuk ka ndonjë të dhënë se sa orë në ditë është e lejuar që fëmijët t’i ekspozohen ekranit, por shton se Kosova zë vendin e parë në rajon për nga përdorimi i internetit.

“Nuk kemi të dhëna se deri në sa orë në ditë do të duhej t’i ekspozohej ekranit një fëmijë. Sipas të dhënave, Kosova është në vendin e parë në rajon për nga përdorimi i internetit, duke e marrë parasysh moshën e re, ku mesatarja e moshës është 23.4 për femra, 23.3 për meshkuj. Pra, një popullatë e re e internetit, krahasuar me gjeneratën e viteve ‘80, ata janë gjeneratë më e plogësht me më shumë informacione, por jo me njohuri dhe dije më shumë se gjenerata e viteve ’80, për shembull”, shpjegon Maloku

Ndryshe, Radio Evropa e Lirë ka intervistuar një fëmijë, që thotë se pa lojërat e ndryshme elektronike, apo shikimin e televizorit, nuk e kalon asnjë ditë.

“Unë mendoj se gjenerata ime jemi të varur nga to dhe dëshirojmë edhe të informohemi përmes internetit. Përpos internetit që e shfrytëzoj për informata të ndryshme, unë shikoj edhe filma në I-Pad kryesisht. Pastaj, informohem edhe për aktorë e këngëtarë të ndryshëm, përmes ekranit, qoftë ai kompjuteri, apo I-Pad ose I-Pod, sepse që të gjitha i kam në shtëpi, që i kam fituar si dhurata nga prindërit për ndonjë festë apo për ditëlindje”, thotë Lorika Morina, nxënëse e klasës së 7 të Shkollës fillore “Ismail Qemajli” në Prishtinë.

Edhe prindërit e fëmijëve duken të jenë të shqetësuar për fëmijët e tyre duke parë se sa shumë kohë kalojnë fëmijët pranë ekraneve.

Sipas tyre, kjo vjen si pasojë e jetës dinamike që është bërë vitet e fundit dhe kohës së limituar për t’u marrë me fëmijët e tyre .

“Mendoj se sot, pothuajse çdo fëmijë kalon shumë kohë i ekspozuar ndaj ekraneve, qoftë TV, Ipad, apo ndonjë mjet tjetër elektronik, dhe mendoj se s’mund të mos jetë e dëmshme nëse qëndrojnë shumë gjatë. Pastaj, problemi tjetër është se lojërat si dhe filmat e ndryshëm për fëmijë  tash nuk janë edhe shumë të kontrolluar dhe gjithashtu jo adekuat për moshat e caktuara, të  cilët fëmijët nuk i zgjedhin, por i shikojnë”, thotë Mentor Kastrati, prind.

Ekspozimi i tepërt i fëmijëve ndaj mjeteve teknologjike, ka qenë temë debati  edhe në shumë vende nëpër botë, duke u vlerësuar shpeshherë si i dëmshëm.

No comments :

Post a Comment