facebookgoogle plusrss feedmesazh

Interpretim i ëndrave AI

Interpretim i ëndrave AI
Ëndra jote ka mesazh

22 January 2014

Ushqimet që ruajnë lëkurën tuaj në dimër

Përkujdesja ndaj lëkurës është padyshim një nga prioritetet e dimrit. Ndryshimet e temperaturës, mungesa e lagështisë, të ftohtit, etj, janë faktorët që ndikojnë në tharjen dhe iritimin e lëkurës. Megjithatë, disa ushqime mund të ndihmojnë për të mbajtur lëkurën tuaj në gjendje të mirë deri sa të kalojnë muajt e dimrit.

Grejpfruti

Grejpfruti i kuq ka marrë ngjyrën e tij nga likopeni, i cili ndihmon në ruajtjen e butësisë së lëkurës. Një studim ka treguar se njerëzit që kanë nivele të larta të likopenit në gjak, kanë një pamje të natyrës së shëndetshme dhe më të balancuar. Likopeni është gjetur në domate, karrota, shalqi dhe speca të kuq. 

Mirëpo, likopeni i cili gjendet tek grejpfruti, është treguar jashtëzakonisht i mirë në shëndetin e lëkurës suaj, sidomos gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Mjafton që atë ta konsumoni rregullisht, jo edhe në sasi shumë të madhe dhe efektet do t’i vëreni shumë shpejt.

Kafja

Konsumimi i një filxhani me kafe në ditë, zvogëlon rrezikun e kancerit të lëkurës. Në një studim nga qendra evropiane për parandalimin e kancerit, thuhet se njerëzit të cilët rregullisht pinë kafe, janë më pak të rrezikuar nga ky lloj i kancerit. Konsumoni kafe të rregullt, ajo pa kafeinë nuk ka përfitime të njëjta.

Gjithashtu, as makiatot dhe kapuçinot nuk e japin këtë efekt, prandaj duhet të konsumoni vetëm kafe të rëndomtë dhe aso të cilat kombinohen me tretës apo qumësht. Kafja turke siç e njohim ne, është ndër më të mirat për këtë qëllim. Mirëpo, duhet patur kujdes që mos ta teproni me konsumimin e kafesë, pra mjafton një apo më së shumti dy filxhanë në ditë.

Çaji

Studimet kanë treguar se çaji ndihmon në mbrojtjen e lëkurës nga kanceri. Përbërësit e tij vrasin qelizat e dëmtuara dhe bllokojnë proteinat që janë thelbësore për përhapjen e qelizave kancerogjene. Ekzistojnë shumë lloje të çajit, por më të suksesshmit në luftimin e kancerit është çaji i gjelbër dhe çaji i zi, por duke mos përjashtuar as llojet e tjera të çajit.

Karota

Karotat përmbajnë beta-karoten dhe likopene, të cilat ndihmojnë lëkurën për të bllokuar rrezet UV. Sipas një studimi, njerëzit që për 12 javë kanë konsumuar dy gota me lëng karote në ditë, kishin 50 për qind më pak dëme në lëkurë. Po ashtu, personat të cilët rregullisht konsumojnë karota, marrin një ngjyrë tejet të bukur të lëkurës, ndërsa kur jeni në plazh, ju nxiheni shumë më lehtë, pra e merrni ngjyrën e dëshiruar.

Tuna

Ky peshk është i pasur me omega 3 acide yndyrore, të cilat ndikojnë në freskinë e lëkurës, por edhe ndihmojnë në parandalimin e kancerit. Përveç kësaj, omega 3, e cila është e pranishme në disa peshq, ruan kolagjenin në shtresat e lëkurës. Rekomandohet për të ngrënë peshk dy herë në javë, sepse është i mirë për lëkurën, por edhe për parandalimin e sëmundjeve të zemrës.

Brokoli

Brokoli është i pasur me vitaminë C, i cili luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e rrudhave dhe ndryshimeve të tjera të lëkurës që vijnë me moshën. Kjo vitaminë ndihmon në eliminimin e radikaleve të lira, të cilat janë formuar në lëkurë për shkak të ndikimit të rrezeve ultravjollcë dhe ndihmon në sintezën e kolagjenit që është përgjegjës për qëndrueshmërinë e saj.

Spinaqi

Spinaqi është i pasur në lutein, një karotenoid që mbron lëkurën nga dëmet e shkaktuara nga rrezet UV. Kur të blini këto perime, zgjidhni atë që është në sipërfaqe, sepse është më i ekspozuar në dritë, pasi studimet kanë zbuluar se ato gjethe që janë në kontakt më të gjatë me dritën, kanë një sasi më të lartë të vitaminës C, K dhe E, si dhe veti ushqyese të tjera. Spinaqin mund ta konsumoni të freskët, por edhe ta zieni, por jo shumë gjatë, pasi mund t’i humbë cilësitë.

Çokollata

Çokollata përmban flavonoide që rrisin qarkullimin e gjakut nëpër lëkurë dhe në këtë mënyrë ajo furnizohet me materie të nevojshme ushqyese dhe oksigjen, të cilat luajnë rol të rëndësishëm për shëndetin e lëkurës sonë. Duke konsumuar një filxhan çokollatë të nxehtë në ditë, për 12 javë, në mënyrë të konsiderueshme do të përmirësohet cilësia e lëkurës suaj.

Burimi: YllPress

No comments :

Post a Comment