Facebook-u ka shtuar mundësinë për të postuar video në Instagram, shërbimin që e bleu para pothuajse një viti për 1 miliardë dollarë.
Tashmë, përveç opsioneve për të shtuar foto dhe për të aplikuar filtra mbi të, përdoruesit do të mund të postojnë video të gjata deri në 15 sekonda. Ky funksion i ri do të jetë i disponueshëm nga e enjtja për iOS dhe Android, dhe njëkohësisht për uebin.
Videove mund t’u shtosh 13 lloje të ndryshme filtrash. Ashtu si edhe me fotot, përdoruesit kanë mundësi t’i shpërndajnë videot edhe në rrjetet sociale. Në versionin për iOS, përfshihet edhe një mënyrë për të stabilizuar videot, e cila ka emrin “Cinema”. Vetë Mark Zuckerberg u shpreh se “jemi ende në fazat e para të këtij produkti. Ky është i njëjti Instagram që pëlqejmë të gjithë, vetëm se tani edhe lëviz.”
Prezantimi i videove në Instagram shton një mënyrë të re angazhimi për përdoruesit. Që prej blerjes nga Facebook në vitin 2012, popullariteti i Instagram ka qenë gjithmonë e në rritje. Sipas të dhënave të kompanisë, Instagram ka tashmë mbi 130 milionë përdorues aktivë, ndërsa Facebook mbi 1 miliard.
Para pak kohësh Facebook-u u shpreh se beson që disa nga përdoruesit e rrjetit social e kanë reduktuar kohën e shpenzuar në Facebook duke e këmbyer atë me shërbime të tjera si Instagram. Kjo është arsyeja pse kompania po synon të zhvillojë një plan pune për plotësimin e Instagram-it.
Një arsye tjetër e shtimit të videove është patjetër edhe konkurrenca me Vine, aplikacionin mobile të lançuar nga Twitter. Në Vine, përdoruesit kanë mundësi të regjistrojnë video të shkurtra prej 6 sekondash, të cilat luhen pa pushim në formën e një cikli të përsëritur. Në ndryshim nga videot në Vine, ato në Instagram nuk luhen në formë cikli.
Mbetet ende për t’u parë sesa efektive dhe sa do të pëlqehen nga përdoruesit videot në Instagram. Në fund të fundit, qëllimi fillestar i aplikacionit ishin fotot dhe shndërrimi i tyre në imazhe profesionale për t’u ndarë më pas me miqtë.
No comments :
Post a Comment