facebookgoogle plusrss feedmesazh

29 October 2013

Argjentinë: Pesticidet - shkaktari i një shtimi dramatik të problemeve serioze shëndetësore

Duke futur në përdorim bimët e modifikuara gjenetikisht, ky vend është bërë prodhuesi i tretë më i madh i sojës. Ndërkohë ekziston shqetësimi se pesticidet, që po ndihmojnë në këtë arritje, mund të jenë shkaktari i një shtimi dramatik të problemeve serioze shëndetësore. 

Fermeri argjentinas Fabian Tomasi nuk ka marrë asnjë udhëzim për pesticidet. Ai punon në bujqësi që nga viti 1996, koha kur u futën në përdorim bimët e modifikuara gjenetikisht. Puna e tij e parë ishte të sinjalizonte nga toka avionët spërkatës.
Më vonë, detyra e tij ishte t’i furnizonte avionët spërkatës me karburant sa më shpejt të ishte e mundur, megjithëse shpesh kjo nënkuptonte që ai të lagej nga koka në këmbë me kimikatet spërkatëse: 

“Përgatisnim solucionin spërkatës prej 200 litrash që hidhet me aeroplan. Të gjitha veprimet i bënim me duar, pa doreza. Nëse kishte rrjedhje të helmeve na duhej t’i mbyllnim ato. Gjithmonë në kontakt me helmet. Kur kishim marrje mendsh, uleshim pranë avionit derisa ta merrnim veten.

Tani, në moshën 47 vjeçare, Fabian Tomasi është një skelet i gjallë. Thuhet se ai duhet të jetë pranë vdekjes i prekur nga sëmundje neurologjike. Ai thotë se gjendja e tij shëndetësore është rezultat i drejtpërdrejtë i një industrie ku punonjësit nuk kanë veshje mbrojtëse kur përziejnë helmet për përdorim në bujqësi.

Mjeku Roberto Lescano i ka mbështetur përpjekjet e Tomasit për të ekspozuar atë që e shohin si lidhje direkte mes pesticideve dhe sëmundjeve në Argjentinë: 

“Këto kimikate bujqësore u krijuan për t’u përdorur në luftë dhe punonjësit janë të ekspozuar ndaj tyre gjatë gjithë kohës madje edhe kur janë pushim. Nuk është e nevojshme që të tjetër të jenë të ekspozuar në masën që ishte Fabian.” 

5 vjeçarja Aixa Cano e ka trupin të mbuluar me nishane me qime. Në ndërtesën përkarshi, 2 vjeçarja Camila Veron ka lindur me disa probleme në organe dhe nuk mund të lëvizë. Mjekët i thanë nënës së saj se shkaku mund të ketë qënë kimikatet bujqësore. Kimikatet që e kanë bërë Argjentinën prodhuesin e tretë më të madh në botë të sojës nuk përdoren vetëm në parcelat e sojës, pambukut dhe drithrave.

Agjencia e lajmeve Associated Press ka dokumentuar dhjetëra raste në mbarë vendin ku përdorimi i pesticideve nuk bëhet sipas rregullave shkencore.

Mjegulla e helmeve të spërkatura përhapet nëpër shtëpi dhe shkolla dhe përfundon në burimet e ujit. Fermerët i kryejnë përzjerjet pa veshje mbrojtëse dhe bidonat e pesticideve që duhet të ishin shkatërruar, i përdorin për të mbushur ujë.

Mjekët po paralajmërojnë se përdorimi i pakontrolluar i pesticideve mund të jetë shkaktari i problemeve shëndetësore mes 12 milion njerëzve që jetojnë në rripin bujqësor të këtij vend të Amerikës së Jugut.

Në Santa Fe, rastet e kancerit janë dy deri katër herë më të shumta sesa mesatarja kombëtare. Në Chaco, lindjet e bebeve me difekte janë katërfishuar.

Në qytetin Alberti, në zemrën bujqësore të provincës Buenos Aires, aeroplanët spërkatës hedhin pesticidet pranë oborreve të shkollave. Duke folur nga plantacioni i sojës nën hijen e një shkolle, veprimtari për mjedisin Oscar di Vincenti thotë se komunitetet po shërbejnë si objekte eksperimentale: 

“Në këtë laborator të madh të Argjentinës ku gjithçka sillet rreth mbjelljeve të bimëve të modifikuara, këta fëmijë janë janë kthyer në kafshë laboratori. Brenda disa viteve do të shfaqen problemet e vërteta shëndetësore ndaj të cilave janë ekspozuar këta fëmijë.”

Në një konferencë bujqësore në Buenos Aires, udhëheqësit e industrisë ngritën pikëpyetje lidhur me shqetësimet në rritje se problemet shëndetësore mund të jenë të lidhura me pesticidet. Ata thonë se nuk ka prova shkencore që provojnë lidhjet me helmet bujqësore.
Biologu Andres Carrasco me Univeristetin e Buenos Aires thotë se kërkimet e bëra tregojnë se disa elementë të pesticideve shkaktojnë të njëjtat difekte kurrizore tek bretkosat dhe pulat sikurse kanë dokumentuar mjekët nëpër komunitete ku përdoren kimikatet bujqësore:

“ Ajo që po ndodh nëpër parcela është shumë e rrezikshme. Ata po helmojnë tokën, sistemin ujor dhe të gjithë organizmat e gjallë në planet.”

Por Argjentina ka aprovuar përdorimin e 26 variteteve të sojës, drithrave dhe lulediellit të modifikuara gjenetikisht që t’u përballojnë pesticideve. Patatet e modifikuara dhe kallam sheqeri pritet të miratohen nga qeveria e Argjentinës nga fundi i vitit.

Burimi: YllPress

No comments :

Post a Comment