Kenan Imirzaloglu (39 vjeç) për momentin aktron në serialin “Karadayi”, ku partnere ka aktoren e njohur Berguzar Korel, të cilën publiku shqiptar e ka njohur përmes rolit të saj të Shehrezades në serialin ‘’1001 net’’. Ai gjatë xhirimeve ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me producentët, të cilët aktorët i shohin më shumë si robotë, duke ndenjur kështu me orë të tëra në xhirime.
Aktori i njohur, gjatë intervistës së tij në revistën GQ, ka deklaruar se në xhirime vjen në orët e para të mëngjesit dhe largohet në orët e vona të natës çdo ditë, përfshirë këtu edhe fundjavën. “Është e pamundur të merresh me veten, e vërtetë se fitojmë nga kjo punë, por kur gjërat teprohen, unë nuk dua. Revoltën time ia kam shprehur edhe producentit, i cili u habit dhe nuk kishte fjalë për të më thënë. Nuk kemi kohë të merremi as me jetën private, vij shumë herët dhe largohem vonë nga xhirimet, as ditët e fundjavës nuk i kemi të lira”, ka thënë ai. “Do të detyrohem ta lë këtë
profesion dhe të merrem me diçka tjetër. Pikërisht për këtë arsye, edhe kolegia ime, Meryem Uzerli (Hyrem), la xhirimet në gjysmë te seriali ‘Sulejmani i madhërishëm’, pas tri sezoneve dhe u largua drejt vendlindjes së saj (Gjermani) dhe besoj se bëri mirë. Mendoi se fama këtu paguhet, e vërtetë, por lodhja dhe shkëputja nga miqtë dhe dashuria është e pashmangshme. Jetën private mundohem ta mbaj sekret dhe mister për publikun, dua që të paktën kjo të më ngelet mua.
E shihni dhe vetë se nuk mund të merrem me të për shkak të kohës. Nuk e mohoj se gati çdo ditë më vijnë oferta nga më të ndryshmet, qoftë në postën e shtëpisë apo atë elektronike. Po fillova të zbuloj këto gjëra, do ngelem në gazetë (qesh)’’, përfundon rrëfimin e tij për GQ, aktori i njohur Kenan Imirzaloglu.
No comments :
Post a Comment