Studimi i shkencëtarëve nga Universiteti i Tel Avivit përmblodhi në bazë shkencore hezitimin e femrave në shekullin XXI për të pasur fëmijë: rezulton se procesi i lindjes është kaq i vështirë për gjininë e mrekullueshme, sa që depresioni post-natal është i krahasueshëm me stresin post-traumatik, specifik për pjesëmarrësit në veprimet luftarake, viktimat e përdhunimit dhe akteve terroriste.
Sipas rezultateve të studimit izraelit, një ndër tre mama të reja vuan nga simptomat e çrregullimit stresor post-traumatik (ÇSPT), të cilat më parë njiheshin si sindroma "vietnameze", "afgane" ose "çeçene". Kjo reflektohet veçanërisht në makthet e natës, në të cilat gruaja mendërisht kthehet përsëri në lindjet e dhimbshme dhe në spital, si dhe në marrëdhënien mjaft të dyjëzuar ndaj fëmijës, i cili i shkaktoi kaq shumë vuajtje.
Se si procesi i riprodhimit të natyrshëm për organizmin e femrës në perceptimet e zonjave moderne u shndërrua në të ngjashëm me veprimet luftarake, shpjegoi për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" udhëheqësi i studimit, profesor Rael Strous, docent i Universitetit të Tel Avivit:
- Ne studiuam çrregullimin stresor post-traumatik, por gjatë këtij studim ne gjetëm se shumë gra pas lindjes kanë simptomat e ÇSPT - fenomenit që lind pas stresit të fortë, kur jeta e njeriut i nënshtrohet një rreziku. Ne zbuluam se përjetimi i dhimbjeve të forta gjatë lindjes për shumë është një eksperiencë aq e rëndë, saqë edhe disa muaj më vonë ato vazhdojnë të vuajnë nga simptomat e ÇSPT, po ashtu si dhe viktimat e aksidenteve rrugore.
Simptomat e dy çrregullimeve psikologjike, sipas mendimit të Profesor Rael Strous, janë shumë të ngjashme. Mjeku vë re te nënat e reja manifestime të tilla të ÇSPT si makthet e natës, në të cilat femra kthehet mendërisht në mënyrë të drithëruese në lindjen e dhimbshme dhe në spital, sikur çdo gjë po vazhdon ende:
- Femrat mund të përjetojnë gjithashtu ndjesi të pakëndshme fiziologjike, të cilat i rikujtojnë traumën. Të gjitha këto simptoma vihen re tek njerëzit që vuajnë nga ÇSPT, por nuk janë tipike për depresionin, kur njerëzit janë të shtypur, vuajnë nga ide fikse të vazhdueshme të vetëvrasësjes dhe mungesa e dëshirave.
Në shekullin e feminizmit dhe luftës për të drejta të barabarta mes gjinive gratë gjithnjë e më pak po duan të bëhen nëna. E shpjegojnë këtë edhe me dëshirën për të bërë karrierë, edhe me frikën e përgjegjësisë, edhe me ndrojtjen e humbjes së formave tërheqëse vajzërore, ndërsa tani dhe me tronditjen tepër serioze të psikikës femërore. Si lindnin femrat pa frikë më përpara? - kjo mbetet një pikëpyetje për përfaqësueset e prirjes së re childfree ("Të lira nga fëmijët" përkthyer nga anglishtja), që u shfaq për herë të parë në vitet ‘70. Megjithatë eksperti rus, Drejtori i qendrës së psikologjisë së aplikuar dhe autori i librave të shumtë mbi psikologjinë popullore Sergei Jureviç Kljuçnikov thotë se refuzimi i fëmijës në radhë të parë lidhet me frikën për të mbajtur përgjegjësi për dikë dhe diktohet nga moda bashkëkohore e ekzistencës egoiste:
- Tani ideologjia e konsumit, ideologjia e "kënaqësive të shpejta" - për shumë gra barra e mbajtjes së një fëmije është shumë e rëndë sepse seriozisht të kufizon. Para së gjithash qëndron liria "bëj ç’të duash - jeto për veten", ndërsa këtu papritmas u duhet të jetojnë për krijesën e vogël. Ky është një fenomen negativ, manifestimi i egoizmit të tillë të papërgjegjshëm. Kështu që në qoftë se këto nuk janë ndonjë arsye fiziologjike, por psikologjike, "depresioni postpartum" mund të shkaktojë një acarim shumë të madh në shoqëri.
Profesori Rael Strous dhe Doktori Sergei Jureviç Kljuçnikov gjithashtu shtojnë se gjatë lindjes në organizmin e femrës ndodh një ndryshim i fortë hormonal, për shkak të të cilit ajo mund ta ndjejë veten në depresion apo jo të lumtur. Zakonisht kjo gjendje kalon vetvetiu, megjithse është diçka shumë individuale. Disa femra kanë nevojë për ndihmën e mjekut. Kështu, për shembull, nëna e re Aleksandra Molldaver thotë se nëse asaj do t’ja kishte shpjeguar dikush, ose në qoftë se ajo do të kishte lexuar diku se mungesa e gëzimit dhe e dashurisë momentale amësore pas rastit të lindjes së fëmijës është diçka mëse normale, atëherë ajo do ta kishte pasur më të lehtë si me foshnjen, ashtu dhe me burrin e të afërmit:
- Tek specialistët unë nuk u drejtova, sepse për vete nuk mund ta klasifikoj atë si një sëmundje. Unë nuk lexova asgjë, nuk u përgatita në mënyrë të veçantë për lindjen e fëmijës, mendova se si një grua unë mund t’ja dal mbanë vetë punës me këtë. Të afërmit nuk më mbështetën fort, kur iu ankova bashkëshortit tim ai nuk më kuptoi fare. Unë i thashë atij se ndoshta ishte depresion, por nuk gjeta asnjë përgjigje apo reagim.
Dhe në qoftë se Aleksandrës gjendja depresive i kaloi vetvetiu, atëherë, për shembull, aktores Brooke Shields iu nevojit ndihmë mjekësore profesionale. Me sa duket nënën e dy vajzave në muajt e parë pas lindjes së parë nuk e braktiste ideja e vetëvrasjes, për të cilën ajo rrëfen haptazi në librin e saj "Kur filloi të bjerë shi: udhëtimi im përmes depresioni postpartum".
Se si të përballesh me një gjendje të tillë depresioni shpirtëror - të trilluar apo të shkaktuar nga tronditjet reale - ekspertët rusë dhe izraelitë këshillojnë mënyra të ndryshme. Profesori Rael Strous u kërkon mjekëve dhe të afërmve të femrës ta trajtojnë me një ndjeshmëri më të madhe lakuriqësinë e detyruar të femrës gjatë lindjes. Sergei Kljuçnikov këmbëngul që të afërmit t’i shpjegojnë nënës së re se lindja e fëmijës - "në fakt është lumturia më e madhe e imagjinueshme".
Megjithatë, të dy ekspertët bien dakord në një gjë: shtatzënia, lindja, edukimi i fëmijës kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë të lidhura me vështirësi të mëdha dhe kriza psikologjike. Megjithatë, kjo nuk është arsye për të zgjedhur në mënyrë vullnetare të mos kesh fëmijë.
No comments :
Post a Comment