Pulla e taksës që tregon se pronarët e makinave kanë paguar taksat e qarkullimit në Britaninë e Madhe do të nxirret në pension pas 96 vitesh për t’u zëvendësuar me një sistem elektronik, deklaruan autoritetet.
Pulla u vendos për herë të parë më 1921, por zyrtarët thonë se nuk është më e nevojshme, pasi policia tashmë bazohet në regjistra elektronikë për të identifikuar se kush e ka paguar dhe kush jo taksën e qarkullimit.
Sistemi i ri do t’i lejojë njerëzit gjithashtu të paguajnë taksën në bazë mujore përmes kartave bankare. Autoritetet thanë se kjo tregon se qeveria po kalon “tek epoka moderne”.
Në vitin 1888, autoritetet britanike vendosën parimin që përdoruesit e rrugës duhet të paguajnë për mirëmbajtjen e saj në raport me peshën dhe madhësinë, pra në raport me dëmin që shkaktojnë.
Sistemi i ri do t’u kursejë edhe kohë shoferëve nga pagesa fizike e taksës. Aktualisht, në Britani, shumica e atyre që nuk kanë paguar taksat e makinave kapen nga kamerat e sigurisë që identifikojnë targën dhe kontrollojnë automatikisht regjistrin, pa pasur nevojë për kontrolle në rrugë. Vitin e kaluar 800 mijë vetë nga 44 milionë përdorues u kapën përmes këtij sistemi, pasi nuk kishin paguar taksat.
Burimi: Gazeta Shqip
No comments :
Post a Comment