Sistemi imun i njerëzve të moshuar ende është mjaft i fuqishëm sa të luftojë viruset, tregon një studim i realizuar së fundmi.
Kërkuesit kanë gjetur se qelizat e specializuara të sistemit imun, të quajtura qelizat T, mund të përgjigjen ndaj infeksioneve virusale te njerëzit e moshuar me të njëjtën fuqi si edhe qelizat T te njerëzit e rinj.
“Për një kohë të gjatë është menduar se njerëzit e moshuar ishin në rrezik më të rritur për infeksione, pasi atyre u mungonin qelizat imune, por nuk është kështu. Të moshuarit sigurisht janë të aftë të zhvillojnë imunitetin ndaj viruseve”, ka thënë njëri prej autorëve të studimit, Jonathan Bramson nga McMaster University.
Studiuesit kanë analizuar sistemin imun të njerëzve të moshuar në tre grupmosha të ndryshme (më të rinj se 40 vjeç, nga 41 deri në 59 vjeç, dhe më të moshuar se 60 vjeç), duke përcjellë mënyrën se si ata janë përgjigjur ndaj infeksioneve me tre viruse të ndryshme, përfshirë virusin e Nilit Perëndimor.
Rezultatet kanë treguar se në të tria grupet, edhe numri edhe funksionimi i qelizave T ishin të njëjta. Këto rezultate do të luajnë një rol të rëndësishëm në vaksinimin e të moshuarve. Aktualisht vaksinat për të moshuar nuk janë të dizajnuara për të nxitur përgjigjen e qelizave T, që mund të shpjegohet se pse vaksinat e gripit mund të dështojnë të jenë efektive te të moshuarit.
Sipas autorëve, vaksinat e dizajnuara në mënyrë specifike për të gjeneruar qelizat T të sistemit imun, mund të jenë më efektive për të mbrojtur të moshuarit.
Burimi: Mjeku.net
No comments :
Post a Comment