facebookgoogle plusrss feedmesazh

Interpretim i ëndrave AI

Interpretim i ëndrave AI
Ëndra jote ka mesazh

12 January 2014

VIP-at e "e kapur" nga policia rrugore

Përpara ligjit të gjithë janë njëlloj, edhe ata që janë modele të servirura nga televizioni. Je apo nuk je pjesë e botës së spektaklit, për rrugorët nuk ka kurrfarë diference.

Por, duket se kjo ka qenë java e VIP-ave shqiptarë. Nuk ishin mësuar kështu. Ka nga ata që reagojnë dhe nga ata që heshtin, por të gjithë vlojnë inat përbrenda vetes. “Shekulli” ka mundur të gjejë disa personazhe të inatosur këtë javë.
Ndoshta të inatosur jo vetëm me veten, por me të gjithë sistemin.

Armina Mevlani, Anila Konomi dhe Sali Berisha, për shembull kanë reaguar dhe e kanë shfaqur mendimin e tyre për aksionet e policisë edhe në faqen e tyre në Facebook. Sot, “Shekulli” ju sjell shkelësit e ligjit, shkelës të famshëm.

Armina Mevlani

“U çmendëm me gjoba!!! Nuk guxon njeriu të marrë një ilaç në farmaci... Unë për vete tre gjoba brenda javës.” Ky është statusi i vetëm pak ditëve më parë i postuar në profilin e Armina Mevlanit në portalin social Facebook. Tre gjoba për shtatë ditë javë duket se janë shumë.

Ajo që kuptohet nga komentet që fiton ky status, kuptojmë se Armina ka qenë pakëz sëmurë. Ajo e ka lënë makinën diku për të hyrë në farmaci. Ajo u justifikohet miqve të saj se po nxitonte, por siç duket policia nxiton më shpejt se ajo.

Mirëpo, Armina nuk duket edhe aq keq, sa për të shkuar tri herë brenda javës në farmaci për të blerë ilaçe. E nëse, ajo është sëmurë, i urojmë shërim të shpejtë dhe e këshillojmë të mos e lërë makinën vend e pa vend.

Anila Konomi

“Kjo puna e gjobave më ngjan me gjuetinë e shtrigave.” Anila Konomi di ta ruajë qetësinë edhe në këtë rast, ama kjo puna e gjobave duket se po e shqetëson, përderisa ajo e ka vënë këtë si status në murin e portalit të saj social.

E sot, ku ka më mirë se sa ta ndash shqetësimin me miqtë e tu. Nuk ka ende ndonjë informacion se sa gjoba ka marrë stilistja e njohur Anila Konomi, por shqetësimi i saj i shprehur publikisht do të thotë mjaftueshëm.

Iris Luarasi “Shekulli” zbuloi se gjobave nuk i ka shpëtuar as Iris Luarasi, një nga ato personazhet që askush nuk e harron lehtë. Edhe pse ajo ka dalë aq shumë në televizor, edhe pse të gjithë e njohin ajo ka në llogarinë e gjobave të saj 3 200 lekë të reja.

Shkeljet e saj janë pika 146, pika 152 dhe pika 170 e kodit rrugor që përkthehen më lehtë në parakalim të ndaluar, ndryshim i korsisë apo i drejtimit me manovra të ndryshme dhe mungesa e rripit të sigurimit. Shpresojmë së Irisi t’i paguajë shpejt sepse vlera e tyre rritet nësë kalojnë pesë ditë.

Ermal Mamaqi

Numri i gjobave që Ermal Mamaqi ka për të paguar është dy. Ka gabuar duke parkuar apo qëndruar në vend të papërshtatshëm dhe nuk ka vendosur rripin e sigurimit.

Vlera totale e gjobave është 2000 lekë të reja, por edhe më shumë nëse kanë kaluar pesë ditë nga dita e gjobitjes.

Arenca Trashani

Arenca Trashani, ish-deputete e Partisë Demokratike në Legjislaturat e 6-të dhe 7-të të Kuvendit të Shqipërisë dhe ishministre e Integrimit në vitet 2005-2007 ka pa paguar tre gjoba të cilat vlerën e tyre e kanë 3000 lekë të reja.

Pedagogja e Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër është gjobitur katër herë. Dy herë për ndalimin e qëndrimit të makinës, një herë tjetër për mosrespektim të sinjalizimit rrugor dhe një herë i është marrë mjeti me karrotrec.

Ilva Tare

Gazetarët që e kanë punën më pisk me terrenin, ato marrin më pak gjoba. Ilva Tare ka vetëm një gjobë për të paguar. Është gjobitur për qëndrim/parkim të gabuar dhe vlera e gjobës është 1000 lekë. Nëse vrapon ta paguajë brenda afatit pesëditor, ajo do të përfitojë 20% zbritje nga vlera e gjobës.

Arjan Çani ofendon policët, del përsëri në qarkullim

Prezantuesit të njohur televiziv, Arjan Çanit, i është pezulluar leja e drejtimit të automjetit për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit. Përpos kësaj, dyshohet se edhe leja e qarkullimit i është bllokuar. Gjithçka ka nisur me një mosrespektim semafori nga moderatori i “zonës së lirë”.

E paçka “zonës së lirë” në të cilën Çani dëshiron të udhëtojë, policia rrugore Biseda nëpërmjet Çanit dhe shefit të trafikut rrugor të kryeqytetit, Ervin Dervishi është acaruar aq shumë, sa që ka përfunduar më pas në një përplasje, e cila shumë shpejt u bë edhe mediatike.

Nga hetimet e kryera deri më tani ka rezultuar se Çani ka kaluar me shpejtësi të madhe semaforin me të kuqe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në krah të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke mos u ndalur dhe duke vënë në rrezik jetën e kalimtarëve tek vijat e bardha.

Dhe pse i është kërkuar të ndalojë nga shefi i patrullës, Çani ka vazhduar të shijojë shpejtësinë maksimale, duke bërë që në ndjekje të tij të vihen edhe patrullat e rendit.

Çani është ndjekur për disa minuta me radhë në rrugët e kryeqytetit, pasi ai i ka rënë kryq e tërthor bulevardit, duke sjellë vërdallë policët që i ishin vënë në ndjekje, të cilët kanë mundur ta ndalin diku në afërsi të Pallatit të Kulturës.

Kaq ka mjaftuar që Arjan Çani të nisë të ofendojë policët, e më pas të mos pranojë shkeljen rrugore që kishte bërë. Çani ka kërkuar që të mos ndëshkohet, duke telefonuar edhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për të shmangur ndëshkimin e policisë.

Por as telefonata me ministrin nuk e ka ndihmuar Çanin, që t’ia hedhë kësaj here. Policët rrugorë kanë vendosur që t’i bllokojnë patentën dhe lejen e qarkullimit. E megjithatë, thuhet nëpër kryeqytetin tonë të vogël se, Çani ka nisur të lëvizë sërish me automjetin e tij, pavarësisht mungesës së dokumentacionit të detyrueshëm për të lëvizur.

Berisha: Gjobë me pre! Gjobë me pre! Gjobë me pre!

“Të dashur miq, prej më se dy muajve, në Shqipëri, mijëra e mijëra qytetarë gdhijnë në mëngjes të gjobitur nga skuadra të policisë partiake socialiste, madje pa asnjë dokument të firmosur nga inspektor policie, por thjeshtë me shpalljen e emrit ne faqen zyrtare të të gjobiturve të Policisë Rrugore.

Kjo epidemi gjobash, me moton "gjobë me pre", nisi mbasi Rama bëri paqe dhe vuri në kontroll për hesap të tij Lojërat e Fatit, me të ardhurat e të cilave ishte zotuar se do të ndihmonte Policinë.

Në serinë e pafundme të gjobave, mediet kanë raportuar gjoba të vendosura për të gjallë dhe për të vdekur. Pas vendosjes së gjobës nis kalvari i pas gjobitjes, ai i pagesës së gjobës në të cilin qytetarët, në radhë të gjata, humbasin jo ore, por edhe ditë.

Për të realizuar këtë skenar kryegjobvënësi Rama, së pari shkriu Policinë Rrugore dhe e zëvendësoi me militant hajdut të PS-së. Së dyti, prishën sistemin e radarëve dhe fotografimit, me të cilin Policia faktonte kundravajtjen e qytetarit.

Epidemia e gjobave është një plaçkitje masive e qytetareve nga shteti policor i neobllokmenit Edvin Rama dhe bashkryetarit të tij Meta!! sb”, kështu shkruan në statusin e vet në rrjetin social Facebook, ish-kryeministri Sali Berisha.

Burimi: BotaSot

No comments :

Post a Comment