29 March 2014

Interneti, dueli Facebook vs Google

Facebook zyrtarizoi projektin ambicioz për shpërndarjen e internetit nëpërmjet avionëve të telekomanduar, satelitëve dhe lazerave në 2/3 e territorit të globit që nuk mbulohet nga valët e internetit.

Lëvizja u njoftua në rrjetin social nga vetë themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg.
Projekti, i vlerësuar me një kosto prej miliarda dollarësh vendos në një vijë konkurrence të ashpër rrjetin social dhe Google, që publikoi gjithashtu planin e saj për të shpërndarë internet në rajonet e pambuluara, por jo me dronë, satelitë apo lazera, por me ballona.

Ajo që i bashkon dy kompanitë është synimi për të qenë të parët në tregjet e reja, sidomos në vendet në zhvillim.

Detajet mbi projektin e Facebook mbeten ende për t’u zbardhur, por mendohet që për shpërndarjen e internetit në këto zona plani i Zuckerberg synon ndërtimin e një flote avionësh të telekomanduar (droen) të pajisur me panele diellore që do t’u siguronin energjinë e nevojshme për të funksionuar.

Në kërkim të tregjeve të reja, Zuckerberg ka shtrirë dorën e bashkëpunimit me shumë kompani telekomunikacioni. Në Paraguaji dhe Filipine një marrëveshje e tillë ka dyfishuar numrin e personave që kanë akses në internet.

“Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë partneritete të tilla, por për të lidhur të gjithë njerëzit, për të mbuluar të gjithë globin me sinjal, nevojiten teknologji të reja”, deklaroi Zuckerberg.

Në realizimin e projektit, Facebook ka ngritur “Connectivity Lab” të përbërë nga specialistë të NASA-s në fushën e hapësirës dhe të teknologjisë së komunikimit.

Burimi: BotaSot

No comments :

Post a Comment