Shega përmban substanca aktive të cilat ndihmojnë në ruajtjen në mënyrë të shëndetshme të arterieve dhe sistemit kardiovaskular në përgjithësi. Ajo largon rrezikun e sëmundjeve të zemrës, infarktin dhe krizat në zemër.
Lajm i mirë për këdo që bën një jetë sedentare, për ata që kanë një regjim të çrregullt të të ngrënit (ndoshta edhe me ushqime pa vlera për organizmin), për ata të cilët kanë kolesterolin të lartë dhe shumë yndyrë në gjak. Ajo është një frut e stinës. Bëhet fjalë për shegën.
Është vërtetuar se ajo mund të sjellë shumë të mira për organizmin e sidomos për sistemin kardiovaskular dhe qarkullimin e gjakut dhe jo vetëm! Studimi i ri është kryer nga hulumtuesit spanjollë të Institutit Katalan të Shkencave Kardiovaskulare (ICSC) ndërsa ai është paraqitur në Kongresin e Shoqërisë Europiane të Kardiologjisë. Hulumtuesit, të udhëhequr nga dr. Lina Badimon, kanë testuar efektet e një pilule, që ishte një koncentrat substancash antioksidante, të tilla si polifenoli, i nxjerrë nga shega.
Studimi është kryer tek një grup derrash, pasi sistemi kardiovaskular i këtyre kafshëve është shumë i ngjashëm me atë të njerëzve. Kërkuesit donin të vëzhgonin dhe të studionin efektet në sistemin e enëve të gjakut të një diete të pasur me yndyrë, për të verifikuar më pas efektet që do të jepte pilula me bazë shege.
Siç pritej, dieta e çrregullt kishte dëmtuar shëndetin kardiovaskular dhe enët e gjakut. Hapi tjetër ishte ai i të administruarit të një doze të përditshme (200 gramë) polifenoli (antioksidanti me përbërje më të madhe te shega) me anë të një tablete. Rezultatet ishin më shumë se premtuese, ato treguan se koncentrati i shegës kishte anuluar shumë prej efekteve të dëmshme të dietës me yndyrë.
“Një dietë e pasur me polifenol shege ndihmon në parandalimin e mosfunksionimeve endoteliale, të cilat janë ndër shenjat e para të arteriosklerozës dhe të infarktit”, përfundon dr. Badimon nga ICSC.
Përdorimi i shegës në mjekësinë popullore
Shega, me farat e saj të kuqe si rubin, është një frutë i shijshëm, por edhe shumë i vlefshëm për organizmin e njeriut. Lëngu i shegës përmban mesatarisht 12 për qind sheqer, acide organike, pektine, ndërsa ajo është një nga të paktat fruta e cila ka vitaminat A, B, C, D, E.
Lëngu dhe vaji i nxjerrë nga farat e saj është një antioksidant i fuqishëm. Vetëm 30 minuta pas marrjes së lëngut të shegës, aktiviteti ynë rritet me 32 për qind. Lëngu i shegës shuan etjen, nxit oreksin dhe përmirëson tretjen e ushqimeve. Ai përdoret me sukses në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, është freskues dhe mënjanon helmet e organizmit. Ky lëng jep rezultate edhe në luftimin e parazitëve që zhvillohen në zorrë.
Lulet e shegës përmbajnë tanine dhe kanë veti rrudhëse e tonike; ato rekomandohen për dhembjet e barkut, për hemorragjinë, hemorroidet, si dhe për gargara të gojës, kundër ënjtjes së bajameve dhe acarimeve të mishrave të dhëmbëve.
Çaji i lëvozhgave të shegës përdoret kundër diarresë, si dhe për luftimin e krimbave parazitarë të zorrëve. Lëvozhga e shegës lufton me sukses amebat, të cilat e dobësojnë shumë organizmin, e veçanërisht te fëmijët. Për këtë merren lëvozhgat e një kokrre shege, vendosen në një enë prej balte dhe zihen në gjysmë litri ujë derisa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Pasi ftohet lëngu, pihen dy gota likeri në ditë, një në mëngjes e një në darkë, gjithmonë para buke, për 10-15 ditë. Pa përdorur tjetër ilaç, organizmi do të çlirohet nga amebat.
Lëngu i shegës shuan etjen dhe rrit oreksin. Gjithashtu përdoret me sukses për heqjen e njollave dhe rrudhave të fytyrës.
Burimi: BotaSot
No comments :
Post a Comment