Çdo ditë, nëpër botë kryhen operacione mahnitëse, që kërkojnë heronj të vërtetë, por që mbeten të panjohura për shumicën e njerëzve të tjerë.
Kjo ndodh sepse personat përgjegjës për sigurinë kombëtare nuk dëshirojnë aspak që shtetasit e tyre t’i zërë paniku për rreziqet që i kanosen dhe të bëhen paranojakë.
Për këtë arsye, shtete të fuqishme si SHBA-ja, Rusia, Kina, Gjermania dhe Koreja e Veriut kanë shumë agjenci të fshehta, me mijëra punonjës, që çdo ditë kujdesen për ta bërë botën një vend më të mirë.
Historia ka njohur shumë operacione ushtarake sekrete, që janë zbuluar me kalimin e viteve. Ja një listë që e transmeton Shqip e 10 operacioneve më të rëndësishme ose më interesante.
10. Operacioni “Paperclip”. Pas disfatës së fuqisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë një përleshje midis Fuqive të Mëdha (SHBA, Britani dhe Rusi) për të përvetësuar të gjithë shkencëtarët dhe agjentët e inteligjencës së Gjermanisë.
Operacioni i amerikanëve u quajt “Paperclip”. Shumë shkencëtarë nazistë u zunë rob, mes të cilëve më të njohurit Wenher Von Braun dhe Arthur Rudolph, të cilët ndihmuan SHBA-në të shpikte raketën për eksplorimin e hapësirës dhe më pas uljen në Hënë.
Agjenti më i njohur i inteligjencës që u rekrutua ishte Reinhard Gehlen, i cili ndihmoi në formimin e një rrjeti spiunësh kundër ish-Bashkimit Sovjetik. Ai gjithashtu trajnoi Forcat Speciale të Izraelit “Mossad”.
9. Operacioni MKULTRA. I frymëzuar prej programit të Koresë së Veriut për shpëlarjen e trurit, CIA filloi eksperimentet e veta për kontrollin e mendjes.
Përveç hipnozës dhe testeve të inteligjencës, pjesa më famëkeqe e këtij projekti ishte dhënia e LSD dhe drogave të tjera subjekteve amerikanë.
Në një rast të raportuar, një subjekti i ishte dhënë LSD vazhdimisht për 77 ditë. Shkencëtari skocez Donal Ewen Cameron ishte gjithashtu i përfshirë, në përpjekje për të larguar skizofreninë, duke fshirë të gjitha kujtimet dhe duke e riprogramuar mendjen e individit.
Eksperimentet e tij përfshinin vënien e subjekteve në koma që zgjasnin për javë nën ndikimin e drogës, teksa përreth tij luheshin zhurma ose deklarata të ndryshme.
8. Operacioni Anthropoid. Ky ishte emri-kod për planin e vrasjes së nazistit Reinhard Heydrich në vitin 1942. Shumë e thërrisnin Hedrich “xhelatin e Pragës”, për shkak të pjesës që kishte luajtur në planifikimin e vrasjes së miliona hebrenjve përmes planit “The Final Solution”.
Dy ushtarë, Josef Gabcik dhe Jan Kubis, nga ushtria çekosllovake me bazë në Britani, mbetën të vrarë. Më 27 maj të vitit 1942, gjatë udhëtimit të përditshëm të Heydrich, Gabcik dhe Kubis u pritën në stacionin e tramvajit. Teksa makina e hapur e Heydrich iu afrua vendit të dy djemve, Gabcik i doli përpara dhe u përpoq të hapte zjarr, por arma i kishte ngecur.
Heydrich e urdhëroi shoferin të ndalonte makinën. Kur ai ndaloi për të gjuajtur mbi Gabcik, Kubis hodhi një granatë mbi automjet. Ajo e dëmtoi Heydrichin sepse pjesë të granatës iu ngulën në trup.
Ai doli nga makina, hapi zjarr dhe u përpoq të ndiqte Gabcikun, por u rrëzua. Vrasësit ishin të sigurt se misioni i tyre dështoi, por pas disa ditësh në spital, Heydrich vdiq nga infeksioni i plagëve.
7. Operacioni “Pluto”. I njohur më mirë si “Gjiri i Derrave”, u konceptua nga administrata e Ajzenhauerit, por u vu në zbatim prej Kenedit në fillim të mandatit të tij.
Planet përfshinin një ndërhyrje në Kubën Jugore nga rebelët kubanë të trajnuar prej CIA-s, me ndihmë ajrore prej amerikanëve. Planifikuesit kishin menduar se ndërhyrja do të ndizte një kryengritje popullore kundër Kastros. Operacioni dështoi, për shkak të nënvlerësimit që iu bë mbështetësve të tij.
Ndihma ajrore amerikane e premtuar, nuk u dha kurrë. Kjo ishte pengesa e vetme publike dhe madhore e CIA-s, që bëri që presidenti Kenedi të pushonte nga puna drejtorin e atëhershëm të CIA-s, Allen Dulles.
Çuditërisht, “Operacion Pluto” ishte gjithashtu një emër i përdorur gjatë LIIB, që kishte si qëllim të ndërtonte një tubacion nënujor nafte mes Francës dhe Anglisë.
6. Operacioni “Zemërimi i madh i Zotit”. Pasi grupi terrorist “Black September” rrëmbeu dhe vrau 11 atletë izraelitë gjatë Lojërave Olimpike në Mynih në vitin 1972, agjencia e inteligjencës izraelite “Mossad” u zotua të merrte hak nën operacionin e njohur si “Zemërimi i madh i Zotit”.
Njësitë sekrete të Izraelit vranë dhjetëra konspiratorë të dyshuar kudo nëpër Europë. Vargu i vrasjeve nxiti shqetësimin dhe kritikën e Izraelit. Më qartë ngjarjet përshkruhen në filmin “Munich”.
5. Operacioni “Shpagimi” (Payback). Një ngjarje e ndodhur së fundmi, e lançuar në lajme pak kohë më parë. Ky operacion përfshin një seri sulmesh të DoS (Denial of Service), nga një grup i ashtuquajtur anonim, i cili u ngrit kundër faqeve online që mbështetën “Wikileaks” pas rrjedhjes së informacioneve për luftën në Irak në vitin 2010. Ndër faqet online të sulmuara ishin “Visa”, “Paypal” dhe “MasterCard”.
4. Operacioni “Eiche” (Lisi). Pas pushtimit të Sicilisë nga aleatët dhe rënies së qeverisë italiane, Musolini u arrestua nga Mbreti Viktor Emanuel i Italisë dhe u burgos.
Musolini u burgos në hotelin “Campo Imperatore” në resortin Gran Sasso të skive në Itali. Otto Skorzeny ishte përzgjedhur nga vetë Hitleri për të drejtuar operacionin dhe për të zbuluar nëpërmjet kodeve të fshehta italiane vendndodhjen e Musolinit.
Skorzeny iu bashkua trupave Luftwaffe kur ata përplasën mjetet e tyre fluturuese “gliders” në malet aty pranë, përpara se t’i dërrmonin trupat italiane pa shkrepur as edhe një armë. Musolinit iu dha një mirëseardhje prej heroi në hotelin “Imperial” në Australi.
3. Operacioni “Entebbe”. I drejtuar prej forcave mbrojtëse izraelite, ky ishte një mision shpëtimi i 248 njerëzve nga aeroplani “Air France” në aeroportin “Entebbe”, në Uganda.
Aeroplani ishte marrë peng prej Frontit Popullor të Çlirimit Palestinez (PFLP), ndërkohë që bënte udhëtimin nga Athina në Paris.
Më 4 korrik të vitit 1976, një bastisje u zhvillua gjatë natës nga 100 komando elitë të Izraelit, pas uljes në tokë me tri aeroplanë në aeroportin aty pranë.
Operacionit iu deshën vetëm 35 minuta që të zhvillohej, komandot i zunë pengmarrësit në befasi dhe i vranë të shtatë, gjithashtu edhe njëzet ushtarë të Ugandës.
Tri pengje mbetën të vrarë dhe po ashtu edhe një komando izraelit, por pjesa tjetër e njerëzve u kthye në shtëpi shëndoshë e mirë.
2. Operacioni “Nepune Spear/Geronimo”. Operacioni në strehimin e fshehtë të Osama Bin Laden, në qytetin Bilal, në Pakistan, u krye në orën 1:00 të mëngjesit, kur muret u shpërthyen me eksploziv prej 20 marinsave të forcave SEALS.
Një njësi ajrore e komandës amerikane speciale, e njohur si “The Night Stalkers” kreu misionin, së bashku me dy helikopterë “Black Hawk” dhe dy “Chinooks” si mbështetës.
Marinsat u ndanë në dy grupe, një grup u mor me pjesën qendrore të shtëpisë. Ky grup gjeti Bin Ladenin në katin e tretë, të paarmatosur dhe e qëlloi dy herë. Njëra goditje iu dha në anën e majtë të kokës dhe tjetra në kraharor.
Sipas raportit, forcat amerikane e morën trupin e Bin Ladenit për identifikim në Afganistan, më pas e varrosën në më pak se 24 orë pas vdekjes.
Forcat sekrete të inteligjencës së Pakistanit, patën disa diskutime, meqenëse ato mbetën të papërfshira gjatë operacionit.
1. Operacioni Valkyrie. Edhe pse nuk e arriti qëllimin e tij përfundimtar, vrasjen e Adolf Hitlerit, ky është një nga operacionet e fshehta më të famshme në histori.
Përpjekja u bë nga Claus Von Stauffenberg dhe nga gjermanët e tjerë antinazistë. Pas pushtimit të Normandisë shumë besuan se fundi i regjimit nazist po vinte dhe në këto rrethana grupe të ndryshme rezistence antinaziste u vunë në punë për të kurorëzuar rënien e nazistëve.
Ishte vendosur që Claus do të dërgonte bombën, pasi kishte mundësi më të mirë për t’iu afruar Hitlerit. Përpjekja u anulua dy herë, për shkak se konspiratorët donin të vrisnin gjithashtu edhe të tjerë zyrtarë të lartë nazistë.
Më 20 korrik të vitit 1944, koloneli Von Stauffenberg hyri në dhomën e konferencës, lëvizi pranë Hitlerit dhe uli valixhen që përmbante bombën në dysheme pranë liderit gjerman.
Pak minuta më vonë, ai u largua nga dhoma me justifikimin se dikush po e kërkonte në telefon. Më vonë u mësua se pasi Von Stauffenbergu e kishte vënë bombën dhe ishte larguar nga dhoma, koloneli Heinz Brandt e kishte gjetur valixhen dhe e kishte lëvizur në anën tjetër të tavolinës së rëndë, pak metra larg Hitlerit.
Kur bomba shpërtheu, Hitleri doli nga kjo mesele vetëm me një dorë të lënduar dhe me dhembje veshësh të shkaktuar nga zhurma e shpërthimit. Nëse operacioni do të funksiononte shumë njerëz do t’i ishin mirënjohës kolonelit Von Stauffenberg për vdekjen e Hitlerit.
Burimi: Koha
No comments :
Post a Comment