facebookgoogle plusrss feedmesazh

20 January 2014

Arterioskleroza

Arterioskleroza, që shpesh përshkruhet si forcim i arterieve, ndodh kur dëmtohet mbështjellësi normal i arteries, murri i tyre trashet, dhe bëhet më i thyeshëm dhe më pak elastik. Arterioskleroza mund të shkaktohet edhe kur në murin e arterieve depozitohen yndyra dhe grumbullohen pllakëza, të cilat shkaktojnë ngushtim (dhe madje bllokim) të arterieve.
Në këtë mënyrë pengohet dhe ndonjëherë ndërpritet qarkullimi i gjakut në vendin ku arteria dëmtohet.

Arterioskleroza dhe ateroskleroza janë dy koncepte të cilat shpesh përdoren si një, edhe pse në fakt janë dy koncepte të ndryshme, por të ngjashme.

Arterioskleroza paraqet forcim të arterieve. Kjo sëmundje jo vetëm që i trash artierit, por po ashtu shkakton edhe fortësim dhe humbje të elasticitetit të tyre. Me kalimin e kohës, arteriet bëhen më të forta dhe gradualisht dëmtohen nga presioni i lartë i gjakut.

Ateroskleroza është lloji më i shpeshtë i arteriosklerozës, ose forcimit të arterieve. Ateroskleroza shkaktohet nga mbledhja e pllakëzave të gjakut në enët e gjakut. Me kalimin e kohës këto pllakëza e trashin murin e enës së arteries, si pasojë e të cilës rezulton forcimi dhe humbja e elasticitetit të tyre.

Pra, pacienti me arteriosklerozë mund të mos ketë aterosklerozë, por një pacient me aterosklerozë ka arteriosklerozë.

Arterioskleroza është shkaktari i zakonshëm i sulmeve në zemër, pikës në tru, dhe sëmundjeve të tjera të enëve periferike, që me një emër quhen sëmundje kardiovaskulare. Sëmundja kardiovaskulare është një prej sëmundjeve më vdekjeprurëse në botë.

Shtrohet pyetja se si zhvillohet arterioskleroza, kush e sjell atë dhe pse? Ka shumë gjëra për t’u thënë për arteriosklerozën dhe paraqitjen e saj. Por gjëja më e rëndësishme është se kjo është një sëmundje që mund të parandalohet ndërsa edhe të mjekohet me sukses.

Çfarë e shkakton arteriosklerozën?

Para se të shpjegojmë sëmundjen, le të shohim diçka rreth enëve të gjakut. Arteriet janë enët e gjakut të cilat e dërgojnë atë nga zemra nëpër gjithë organizmin tuaj. Ato janë të mbështjella nga një shtresë e hollë e qelizave e quajtur endotelium. Endoteliumi mbron brendinë e arterieve dhe e mban atë të butë, që mundëson gjakut të qarkullojë lirshëm.

Ekspertët thotë se arterioskleroza paraqitet kur presioni i lartë i gjakut, konsumi i duhanit ose kolesteroli i lartë dëmtojnë endotelin e arterieve. Në këtë mënyrë fillojnë të krijohen të ashtu-quajturat pllakëzat e kolesterolit.

Së pari kolesteroli i keq, LDL, depërton në brendi të enëve të gjakut përmes endotelit të dëmtuar. Kolesteroli aty krijon disa shtresa, ku kapen qelizat e bardha të gjakut (qelizat mbrojtëse), me qëllim për të tretur LDL kolesterolin. Me kalimin e viteve, qelizat dhe kolesteroli që grumbullohen shndërrohen në shtresa të forta të cilat kapen në murrin e enës dhe gradualisht mbyllin arterien.

Këto pllakëza janë një përzierje e yndyrave (kolesterolit), qelizave dhe grimcave, dhe krijojnë xhunga të cilat vazhdimisht bëhen më të mëdha derisa bllokojnë enën e gjakut.

Arterioskleroza tenton të paraqitet gjithkund në trup. Ekspertët thonë se nëse ju keni enë të bllokuara në zemër, jeni në rrezik të lartë të prekeni edhe nga goditja në tru, ose e kundërta.

Arterioskleroza zakonisht nuk shfaq simptoma deri në moshën e mesme ose të shtyrë. Vetëm kur ngushtimi i enëve bëhet i ashpër, ajo e pengon kalimin e gjakut dhe mund të shkaktojë dhimbje. Bllokimet po ashtu mund të pëlcasin menjëherë, duke bërë që gjaku të mpikset brenda arteries në vendin e pëlcitjes.

No comments :

Post a Comment