Të gjithë ne kemi kujtime që do të donim t’i largonim nga mendja një herë e mirë. Mbase një gafë e bërë në një mbrëmje jashtë me miqtë, mund të duket e kollajshme për t’u harruar sa herë që jua kujtojnë, por a mund të çojë dëshira e vazhdueshme për të harruar në ngjarje, në harresë totale vite më vonë?
Profesor Michael Anderson dhe kolegët e tij të Universitetit Oregon, mendojnë se shtypja e vazhdueshme e kujtimeve mund të dëmtojë aftësinë për ta kujtuar një ngjarje vite më vonë.
Anderson është i mendimit se proceset kryesore të kontrollit që njerëzit përdorin për t’u përqendruar dhe kapërcyer ngjarje, ndërhyjnë gjatë rifreskimit të kujtesës. Këto procese të kontrollit të vullnetshëm në tru mund të jenë arsyeja përse njerëzit shtypin kujtime të padëshiruara dhe traumatike.
Puna e tij mund të ndihmojë në shpjegimin e sëmundjeve të stresit post-traumatik dhe në zgjidhjen e misterit të kujtimeve të harruara të traumave në fëmijëri.
Eksperimentet
Psikologët e kanë debatuar gjatë ekzistencën e kujtimeve të shtypura, rekomanduar fillimisht nga Frojdi që propozoi se kujtimet e padëshiruara mund të harrohen duke i shtyrë në subkoshiencë, një proces i quajtur represion. Ekzistenca e represionit ka mbetur një temë e kundërshtueshme për më shumë se një shekull.
Edhe Anderson mendon se zbulimet e tij mbështesin mekanizmin e shtypjes që i largon kujtimet e padëshiruara nga ndërgjegjja. Profesori u kërkoi 32 studentëve të kolegjit të mbanin mend dy fjalë që nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Më pas ai u tregoi pjesëmarrësve fjalën e parë dhe u kërkoi atyre të plotësonin fjalën e dytë ose në rastin tjetër të përpiqeshin të mos mendonin për të.
Përfundimi ishte se studentët që u kishte kërkuar të gjenin fjalën e dytë, dolën 20 për qind më mirë se studentët të cilëve u kishte kërkuar të mos mendonin për plotësimin e fjalës. “Ky studim është një provë e thjeshtë, nëse më parë njerëzit mendonin se nuk ekzistonte një mekanizëm represiv, eksperimenti tregon se ekziston”, shprehet Anderson.
Profesori donte gjithashtu të sigurohej se pjesëmarrësit në studim e kishin harruar vërtet fjalën që duhet të thoshin dhe nuk po hiqeshin sikur nuk e mbanin mend, kur u kujtohej mirë.
Kështu që në një eksperiment të dytë, ai u tregoi pjesëmarrësve vetëm shkronjën e parë të fjalës plotësuese dhe u kërkoi që të thoshin fjalën që i përshtatej më shumë studimit.
Përsëri, pjesëmarrësit e kishin të vështirë t’i mbanin mend fjalët që u ishte kërkuar që në fillim t’i harronin. Kurioz për fuqinë nervore të fenomenit, Anderson dhe kolegët e tij vendosën të përsërisnin edhe një herë eksperimentin, kësaj radhe duke përdorur rezonancë magnetike.
Ai zbuloi se hipokampusi, që është përgjithësisht aktiv kur njerëzit përpiqen të kujtojnë, nuk ishte aktiv kur pjesëmarrësit që ishin përpjekur të mos mbanin mend fjalën e dytë të studimit. Nga ana tjetër, korteksi paraballor dorsolateral, një zonë që ndihmon frenimin e aktivitetit motorik, ishte më aktiv se normalisht.
Kjo tregon se njerëzit mund të jenë duke përdorur këtë pjesë të trurit për të anashkaluar procesin e kujtimit që ndodh në hipokampus. Ndonëse në jetën e vërtetë njerëzit nuk përpiqen edhe aq shumë të harrojnë diçka kaq të thjeshtë sa një fjalë, por gjëra më të mëdha.
Për këtë arsye studime të tjera u morën si mbështetje e teorisë së profesor Andersonit. Psikologia Marie Banich nga Universiteti i Kolorados, po e analizon gjithashtu paradigmën mendim/jo-mendim të Andersonit, për të mësuar nëse do të funksionojë për stimujt joverbal, siç mund të jenë ato emocionalë.
Në studimin e saj, ajo përdori të njëjtin projekt kërkimi si Anderson, por në vend të fjalëve, përdori fotografi të ndryshme të natyrave të larmishme si peizazhe, kafshë apo aksidente makinash.
Ashtu si në studimin e Andersonit, Banich u kërkoi pjesëmarrësve vullnetarë të mbanin mend çiftëzimin e portreteve dhe skenave. Një pjesë u tha që të përpiqeshin të mos i mbanin mend skenat me të cilat lidheshin portretet.
Ajo zbuloi dy gjëra: së pari paradigma mendim/jo-mendim funksionoi, pasi pjesëmarrësit i mbajtën mend më shumë skenat që u ishte kërkuar t’i kujtonin dhe më pak ato që duhet t’i harronin dhe së dyti eksperimenti funksionoi më mirë me skenat emocionale sesa me ato të zakonshme.
Këto rezultate sipas psikologes kanë kuptim, pasi rregullimi emocional kërkon që të kemi kontroll konjitiv mbi gjërat që janë të vështira për t’u menduar.
Pavarësisht rezultateve, disa kërkues janë skeptikë. Ata mendojnë se rastet e traumave nuk janë harresa të vullnetshme, por një gjendje e jashtëzakonshme e trurit, ndaj ky harron pavetëdije.
Megjithatë, Anderson është optimist se eksperimentet e tij do të sjellin rezultate më të provuara në të ardhmen. Ai që ka rëndësi për të është fakti se njeriu e ka në dorë kujtesën e tij dhe kjo është diçka shumë themelore.
Burimi: AlbPress
No comments :
Post a Comment