Tre ministri në Shqipëri, ajo e Kulturës, Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë shpallin konkursin kombëtar për “Realizimin e logos kombëtare për 70-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë”.
Logoja për 70 vjetorin e Çlirimit, do të shoqërojë të gjitha evenimentet zyrtare të Institucioneve Qendrore Shtetërore, si pjesë identifikuese e përvjetorit të Vitit Jubilar.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Kulturës, në tërësinë e tyre, festimet e 70-vjetorit, duke marrë referencë nga një periudhë e rëndësishme e historisë shqiptare, do të vihen në shërbim të së ardhmes evropiane të vendit dhe në këtë përvjetor do të kenë si synim edhe përafrimin e kësaj ngjarjeje historike me rininë. Prandaj janë të ftuar të gjithë të interesuarit nga tre ministritë e lartpërmendura që me idetë e tyre kreative të sjellin idetë për këtë logo.
Kushtet e pjesëmarrjes në konkurs:
1. Në konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë nxënësit e shkollave të mesme, studentë, dhe artistë të rinj,
2. Punimet duhet të jenë origjinale, të papublikuara dhe autori mban përgjegjësi ligjore për autencitetin e tyre para ligjit.
3. Në konkurs pranohen punime individuale dhe punime të realizuara në grup.
4. Punimi i Logos, së 70-Vjetorit te Çlirimit, duhet të jetë shprehje artistike figurative, ose grafike.
Punimi duhet të jetë shprehje artistike e konceptimit të një logoje, që përkujton 70-Vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë. Punimi mund të paraqitet: i punuar me ngjyra mbi letër; i printuar nga kompjuteri; secili prej këtyre formateve duhet të paraqitet dhe në formë elektronike. Punimet duhet të dorëzohet në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë deri më datë 2 qershor 2014 dhe Juria shqyrton punimet më datë 3 qershor dhe po në këtë datë do të shpallet fituesi i Konkursit, nga Juria në mjediset e GKA. Vlerësimi artistik i Çmimit fitues është 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, ku përfshihet dhe taksat e aplikueshme. (PCWorld Albanian)
No comments :
Post a Comment