facebookgoogle plusrss feedmesazh

Interpretim i ëndrave AI

Interpretim i ëndrave AI
Ëndra jote ka mesazh

02 April 2014

“Lufta” midis platformave sociale për dërgimin e mesazheve

Dy muajt e fundit kanë qenë shumë intensivë përsa i përket zhvillimeve më të fundit në industrinë e mesazheve private. Fillimisht mësuam për blerjen e shërbimit WhatsApp nga kompania Facebook për 16 miliard $. Ndërkohë aplikacioni Viber u ble nga Rakuten për 900 milion $, ndërsa startup-i i mesazheve Tango mundi të sigurojë një fond prej 280 milion $, shumë që i vleu kompanisë më tepër se 1 miliard $.
Duke pasur parasysh të gjitha këto nuk duhet të habitemi me faktin që platformat e mediave sociale të fokusuara tek mesazhet janë përpjekur të përmirësojnë shërbimet e tyre sa më shumë.

Por çfarë i diferencon këto shërbime nga njëri-tjetri? Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e tyre?

Vine Messages

Vine është aplikacioni më i fundit që ka prezantuar mesazhet private si dhe dy funksionalitetet e videove “stop motion” dhe “grid lines”. Nëpërmjet tij mund të dërgohen mesazhe tekst ose video, madje mund të dërgohen edhe mesazhe ndaj atyre personave që nuk janë të regjistruar në Vine, por aktualisht nuk është e mundur që përdoruesit të dërgojnë edhe imazhet me mesazh. Gjithashtu pamundësia për të dërguar mesazhe nga albumi i kamerës së smartfonit (camera roll) si dhe mungesa e mesazheve në grup përbëjnë disavantazh për shërbimin Vine.

Avantazhi kryesor: Dërgimi i videove kreative

Instagram Direct

Instagram ka zbuluar shërbimin e mesazheve Direct në muajin dhjetor, por që prej atij momenti nuk është folur shumë rreth këtij shërbimi. Nëpërmjet Direct është e mundur që përdoruesit të dërgojnë mesazhe tekst ose video, mesazhe në grup (deri në 15 persona), foto ose video ekzistuese nga albumi i kamerës së smartfonit dhe për më tepër fotot ose videot mund të përmirësohen me efekte speciale. Sigurisht, edhe ky aplikacion ka limitet e veta pasi nuk është e mundur që të dërgohen mesazhe ndaj personave që nuk janë të regjistruar në Instagram, nuk suporton funksionalitetin “stop motion” si aplikacioni Vine dhe fotot mund të priten vetëm në formë katrore.

Avantazhi kryesor: Dërgimi i fotove artistike dhe i videove me efekte.

Facebook Messenger

Messenger është padyshim një prej aplikacioneve më të rëndësishëm të mesazheve. Nëpërmjet tij është e mundur që të dërgohen mesazhe individuale ose në grup, mund të kryhen telefonata pa pagesë ndaj miqve në Facebook, mund të dërgohen foto nga albumi i kamerës së smartfonit si dhe mund të ruhen grupet e preferuara ose ato të përdorura më shpesh. Ndër mangësitë e këtij shërbimi mund të përmendim pamundësinë për të dërguar video mesazhe, për të regjistruar foto nga aplikacioni, për të dërguar mesazhe ndaj personave që nuk i keni miq në Facebook si dhe për përmirësimin e fotove me efekte speciale.

Avantazhi kryesor: Mundëson lidhje me miqtë tuaj në Facebook, numrat e të cilëve mund t’i keni humbur.

Twitter Direct Messages

Direct Messages ka qenë pjesë e Twitter-it që prej fillimit të tij, prandaj është disi i habitshëm fakti që ky shërbim nuk ka evoluar aq sa duhet në këto 8 vite. Përdoruesit mund të dërgojnë mesazhe tekst/foto, mund të regjistrojnë foto nëpërmjet aplikacionit ose mund të dërgojnë foto ekzistuese në albumin e kamerës së smartfonit. Gjithashtu është e mundur që fotot të editohen me anë të mjeteve të editimit. Ndër kufizimet e këtij aplikacioni mund të përmendim pamundësinë për të dërguar mesazhe në grup apo për të dërguar video. Përdoruesit mund të dërgojnë mesazhe vetëm ndaj atyre personave që janë ndjekës të tyre në Twitter si dhe mund të marrin mesazhe vetëm nga personat që ata vetë ndjekin. Mesazhet janë të limituara deri në 140 karaktere.

Avantazhi kryesor: vazhdimi i një bisede private në Twitter.

Snapchat

Snapchat është një shërbim mesazhesh që në përgjithësi nuk përdoret për komunikime serioze. Një prej cilësive kryesore të tij është fshirja e mesazheve, cilësi që mund të konsiderohet njëkohësisht si avantazh dhe si disavantazh. Kjo do të thotë se ju mund të dërgoni çfarë të doni, por njëkohësisht duhet të keni kujdes të mos dërgoni diçka që do të dëshironit t’a ruanit. Nëpërmjet këtij aplikacioni mund të dërgohen foto/video mesazhe ose animime të vizatuara nga përdoruesi. Në qoftë se dëshironi mesazhet mund t’i ruani deri në 24 orë. Snapchat nuk suporton dërgimin e mesazheve vetëm tekst dhe në të nuk është e mundur që të dërgohen mesazhe të vazhdueshme në grup.

Avantazhi kryesor: Dërgimi i fotove ose videove shakatare. (PCWorld Albanian)

No comments :

Post a Comment